Zhegrova mungon nga Kombëtarja e Kosovës, shkaqe personale

Mungesa misterioze e Edon Zhegrovës te Kombëtarja e Kosovës, lojtari humb ndeshjet e qershorit për “arsye personale”

Edon Zhegrova duket se ka filluar para kohe pushimet e tij pasi nuk do të jetë pjesë e grumbullimit të Kombëtares së Kosovës për ndeshjet miqësore të qershorit kundër Çekisë dhe Andorrës.

Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi se Zhegrova do mungonte për arsye personale. Nga ky grumbullim është larguar edhe Dellova, i cili ka pësuar lëndim dhe është zëvendësuar nga Fazliji.

Futbollisti Lumbardh Dellova është liruar nga grumbullimi i Kombëtares së Kosovës për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen e zhvilluar të hënën me klubin e tij, CSKA Sofia, kundër Ludogorets. Dellova iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore nga stafi mjekësor i Kombëtares, me ç’rast u konstatua se ka pësuar frakturë në shputën e këmbës dhe u vërtetua se periudha e rikuperimit do të jetë më e gjatë sesa kohëzgjatja e këtij kampi.

Ndërkohë, Edon Zhegrova nuk do t’i bashkohet Kombëtares në këtë grumbullim për arsye personale. Betim Fazliji, futbollist i skuadrës zvicerane St. Gallen, do të jetë pjesë e kampit të Kombëtares nga data 28 maj, duke u rikthyer në fanellën dardane pas një kohë të gjatë.

Dardanët do t’i vazhdojnë nesër përgatitjet për ndeshjet miqësore kundër Çekisë dhe Andorrës, me stërvitjen e radhës që mbahet në orën 11:30, në Kampin Nacional në Hajvali.

Scroll to Top