Zjarri fatal në Korenë e Jugut: Buburreci shkakton vdekje

Gruaja nga Korea e Jugut i vë flakën një pallati të tërë duke u përpjekur të vriste një buburrec

Një grua në qytetin Osan të Koresë së Jugut shkaktoi një zjarr të madh në ndërtesën ku banonte të hënën, më 21 tetor, teksa po përpiqej të eliminonte një buburrec duke përdorur një flakërues të improvizuar.

Zjarri rezultoi fatal për një prej banoreve, një grua rreth të 30-ave me shtetësi kineze, dhe shkaktoi probleme me frymëmarrjen për disa banorë të tjerë për shkak të tymit të dendur.

Sipas mediave lokale, autoritetet koreane kanë njoftuar se do të lëshojnë një urdhër-arresti për gruan përgjegjëse, e cila është ende e re.

Ajo ka deklaruar para policisë se kishte përdorur një çakmak dhe një spraj të ndezshëm për të vrarë buburrecat, një metodë që sipas saj e kishte përdorur edhe më parë. Megjithatë, këtë herë, flakët dolën jashtë kontrollit dhe banesa e saj u përfshi nga zjarri.

Viktima banonte në katin e pestë të pallatit së bashku me bashkëshortin dhe foshnjën e tyre të sapolindur. Kur panë flakët, ata hapën dritaren dhe kërkuan ndihmë. Ata arritën t’ia dorëzonin foshnjën një fqinji në ndërtesën ngjitur, përpara se të përpiqeshin të shpëtonin. Burri arriti të kalonte në ndërtesën fqinje, por gruaja ra dhe u dërgua në spital, ku ndërroi jetë disa orë më vonë.

Policia ka njoftuar se autorja e zjarrit mund të përballet me akuza për zjarrvënie nga pakujdesia dhe vrasje nga pakujdesia.

Në vitet e fundit, përdorimi i mjeteve të rrezikshme, si flakërues të improvizuar për të vrarë insekte, është bërë një praktikë e përhapur përmes videove virale në rrjetet sociale. Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në vitin 2018 në Australi, ku një burrë i vuri zjarr kuzhinës duke përdorur një spraj kundër insekteve si flakërues.

Pallati i përfshirë nga zjarri përmban dyqane në katin përdhes dhe 32 apartamente nga kati i dytë deri në të pestin. Tetë banorë të tjerë u shtruan në spital me probleme në frymëmarrje si pasojë e tymit të shkaktuar nga zjarri.

Scroll to Top