Pamje tronditëse te kompleksi i “Arlis”, helikopterët hedhin ujë por flakët nuk shuhen
Një pallat është përfshirë nga flakët pasditen e së martës në Tiranë, në afërsi të Farmacisë nr.10, përballë spitalit “Nënë Tereza”, në kompleksin ‘Arlis’. Lapsi.al ka siguruar pamje nga vendngjarja, ku duket se flakët kanë përfshirë thuajse të gjithë godinën.
Në zonë është shkaktuar një kaos i vërtetë, me qytetarë që largohen me nxitim për t’u larguar sa më parë nga zjarri.
Në vendngjarje kanë mbërritur Policia, forcat Zjarrëfikëse, reparti RENEA dhe një helikopter, të cilët po punojnë për të shuar flakët dhe për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Helikopteri ka mbërritur nga baza ushtarake e Farkës.
Dhjetëra banorë janë evakuuar. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit. Është raportuar se 2 banorë dhe 2 pjesëtarë të forcave zjarrëfikëse janë asfiksuar nga tymi.
Burime për Lapsi.al bëjnë të ditur se repartet e Urgjencës dhe Djegies Plastike janë vënë në gatishmëri, për çdo situim të mundshëm. Dy qytetarë dhe dy zjarrfikës janë paraqitur në urgjencën e QSUT me shenja asfiksie për shkak të zjarrit.
