Zjarri në Kroaci: 1 viktimë, 1 person i zhdukur, 10 në terapi

Pamje apokaliptike në Kroaci! Zjarri masiv shkakton një viktimë, një person të zhdukur dhe 10 në terapi intensive

Një zjarr masiv ka përfshirë zonën e Omishit në bregdetin Adriatik të Kroacisë, duke shkaktuar të paktën një viktimë, një person të zhdukur dhe rreth 40 të plagosur.

Gjatë operacioneve të kërkimit, policia ka gjetur trupin e një gruaje. Autoritetet njoftuan gjithashtu për zhdukjen e një shtetaseje boshnjake 34-vjeçare. Ende nuk dihet nëse këto dy raste kanë lidhje me njëri-tjetrin.

Flakët, të favorizuara nga erërat e forta, kanë djegur afro 10 mijë hektarë tokë dhe kanë dëmtuar një numër të madh banesash, biznesesh, automjetesh dhe mjetesh lundruese.

Të paktën 40 persona morën ndihmë mjekësore në Split, ndërsa 14 u shtruan në spital. Dhjetë prej tyre ndodhen në terapi intensive, përfshirë gjashtë të rritur dhe një 17-vjeçar që janë intubuar.

Rreth 300 zjarrfikës me 93 automjete luftuan me flakët, ndërsa mijëra banorë dhe turistë u evakuuan. Rreth 2,400 persona u strehuan në qendrat e pritjes në Omih, Split dhe Makarska.

Shefi i zjarrfikësve kroatë, Slavko Tučaković, e cilësoi ngjarjen si “një nga zjarret më të këqija në historinë e Kroacisë”, duke përshkruar momentin e përhapjes së flakëve si një “stuhi zjarri”.

Katër avionë zjarrfikës u angazhuan në operacionet nga ajri, ndërsa autoritetet njoftuan se situata është tashmë e qëndrueshme, por zonat e prekura vijojnë të monitorohen.

Kroacia dhe pjesa tjetër e Ballkanit po përballen me një valë të fortë të nxehti, ndërsa temperaturat e larta, thatësira dhe erërat kanë favorizuar shpërthimin e dhjetëra zjarreve në rajon.

Scroll to Top