“`html
Zjarri në Abazë të Krujës, Ministri i Mbrojtjes: Po ndjekim nga afër situatën e krijuar nga dora e njeriut, punohet nga ajri me 3 helikopterë
Një zjarr ka përfshirë zonën e fshatit Abazë në Krujë, duke kërcënuar banesat përreth. Sipas informacionit të bërë të ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nafi, zjarri është shkaktuar nga dora e njeriut.
Ministri Nafi, përmes një postimi në rrjetet sociale, njoftoi se po punohet intensivisht për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Në operacionin për përballimin e situatës janë angazhuar forca zjarrfikëse nga toka, si dhe tre helikopterë të Forcës Ajrore për mbështetje nga ajri.
Flakët vazhdojnë të përbëjnë rrezik për banesat pranë zonës së përfshirë nga zjarri, ndërsa ekipet në terren dhe ato ajrore po punojnë në mënyrë të koordinuar për të vënë situatën sa më shpejt nën kontroll.
“Në zonën e Abazës në Krujë, bashkë me kolegun Besfort Lamallari, Drejtorin e AKMC dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Zjarrfikësve po ndjekim nga afër situatën e zjarrit të shkaktuar fatkeqësisht nga dora e njeriut. Që prej pasdrekes, po punohet intensivisht me mbështetje nga ajri me 3 helikopterë të Forcës Ajrore, bashkë me forcat operacionale të strukturave vendore. Shumë mirënjohje dhe respekt për pilotët e forcës ajrore dhe efektivët MZSH Krujë, Kamëz, Tiranë dhe Vorë, të cilët po punojnë pa ndërprerje për izolimin e vatrës dhe mbrojtjen e banesave të rrezikuara. Për shkak të terrenit të thepisur dhe vështirësisë së ndërhyrjes nga toka, operacioni po zhvillohet në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri, me synim vënien sa më shpejt nën kontroll të zjarrit”, shkruan Nafi.
“`
