70 ditë protestë para Kryeministrisë, Kokaj: Nuk largohemi pa ikur ti, zoti kryeministër
Publikuar më 08.08.2026 nga shekulli_admin
TIRANË – Sot u shënua dita e 70-të e protestës së qytetarëve para Kryeministrisë, ku ata vazhdojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit akuzojnë qeverinë për shkelje të zonave të mbrojtura dhe për favorizim të klientelizmit në zbatimin e ligjit për investitorët strategjikë.
Gjatë protestës, aktivistja Luçjana Kokaj u shpreh se 70 ditë qëndresë qytetare kanë kontribuar në tejkalimin e frikës dhe bashkimin e qytetarëve rreth kërkesës për ndryshim politik. “Çfarë ka arritur protesta? Kemi arritur shumë, kemi vrarë frikën për 70 ditë,” deklaroi Kokaj.
Ajo shtoi se protesta ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe se qytetarët kanë komunikuar mesazhin e tyre pa pasur nevojë për fonde. “Kemi arritur që të jemi në artikujt e mediave botërore. Nëse qeveria ka paguar miliona euro me taksat tona, ne e kemi bërë me zërin e të vërtetës tonë,” tha aktivistja.
Kokaj theksoi se Shqipëria ka nevojë për angazhimin dhe kurajën e qytetarëve për të ecur drejt Bashkimit Evropian, ndërsa cilësoi qeverinë si të korruptuar. “Shqipëria ka nevojë për shpirtin, kurajën tuaj, për të shkuar në BE. Ndaj nuk na duhet kjo qeveri e korruptuar. Do të bëjmë revolucion,” deklaroi ajo.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, aktivistja siguroi se protestuesit nuk do të tërhiqen. “E vetmja besë që do të marrësh nga ne, zoti Kryeministër, është që nuk largohemi pa ikur ti,” u shpreh Kokaj.
Në fund, ajo u bëri thirrje të rinjve shqiptarë për angazhim, duke nënvizuar potencialin e tyre për të sjellë ndryshim në vend. “Rinia shqiptare mund të bëjë shumë më shumë se ç’kanë bërë këta njerëz,” përfundoi Kokaj.
