Rama Njofton Hapjen e 4 Universiteteve të Reja me Reputacion Ndërkombëtar
Kryeministri Edi Rama, në sezonin e shtatë të podcastit të tij “Flasim”, ka prezantuar ambicien e qeverisë për hapjen e katër universiteteve të reja në Shqipëri. Gjatë bisedës me mjeken e diplomuar jashtë vendit, Frenki Gjika, Rama zbuloi planet konkrete për këto institucione arsimore.
Së shpejti pritet të nënshkruhet një marrëveshje me një nga rrjetet më të mëdha universitare botërore, me bazë në Londër. Kjo marrëveshje përfshin planin për hapjen e Universitetit të Mjekësisë në Fier. Ky universitet do të jetë ndërkombëtar, duke tërhequr studentë shqiptarë dhe nga e gjithë bota.
Procesi i diskutimeve ka avancuar, duke parë një draft studimi fizibiliteti që konsiderohet “fantastik”, ndërkohë që pritet studimi përfundimtar. Investimi do të jetë i konsiderueshëm, ku qeveria do të sigurojë infrastrukturën, ndërsa partnerët do të sjellin pedagogë. Një komponent i rëndësishëm do të jetë edhe përzgjedhja e pedagogëve shqiptarë, si nga Shqipëria ashtu edhe nga diaspora.
Plani ambicioz përfshin gjithsej katër universitete:
- Universiteti i Mjekësisë në Fier: Një universitet ekselence për mjekësinë, me reputacion ndërkombëtar.
- Universiteti i Përgjithshëm në Vlorë: Ambicia është ta vendosë në qendër të qytetit, Sheshin e Flamurit, duke synuar të krijojë një dinamikë të re. Do të jetë më i madhi nga katër universitetet.
- Universiteti i Korçës: Do të fokusohet në teknologjinë dhe inteligjencën artificiale.
- Universiteti i Përgjithshëm në Tiranë.
Kryeministri Rama shprehu dëshirën për të finalizuar të gjitha këto projekte brenda vitit aktual. Synimi është që mësimi të fillojë në dy nga këto universitete në vitin akademik 2027-2028, dhe të katërt të jenë plotësisht funksionalë në vitin akademik 2028-2029.
