Propozime për reformë në Shërbimin Civil Shqiptar

Propozohen ndryshime në ligjin për nëpunësin civil

Këshilli i Ministrave ka njoftuar se Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ka publikuar për konsultim publik projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.152/2013, “Për Nëpunësin Civil”, të ndryshuar.

Si pjesë e propozimeve për ndryshim në ligjin aktual, synohet përmirësimi i modelit të Shërbimit Civil në Shqipëri. Ky përmirësim ka për qëllim rritjen e efikasitetit të procesit të pranimit dhe të procedurave menaxheriale për shërbimin civil, duke krijuar kushte për tërheqjen e sa më shumë profesionistëve të kualifikuar nga jashtë Shërbimit Civil. Gjithashtu, propozohet rritja e transparencës, fleksibilitetit dhe sigurisë në rekrutim dhe trajtimin e nëpunësve të nivelit të lartë.

Sipas ndryshimeve të propozuara, do të rritet kufiri për kandidatët që mund të rekrutohen nga jashtë, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda administratës publike gjatë një viti. Do të implementohet një strukturë e riformatuar pagash që inkurajon performancën dhe rrit motivimin e punonjësve.

Sipas njoftimit të Këshillit të Ministrave, ndryshimet ligjore synojnë krijimin e një administratë profesionale dhe të mbështetur në merita. Kjo strategji qëndron në bazën e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe forcimi i saj synohet të arrihet edhe nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore të propozuara.

Projektligji është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e Programit “BE për Mirëqeverisjen” dhe ekspertët e OECD/SIGMA, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet e pavarura. Brenda datës 31 tetor 2025, ai do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik me të gjitha grupet e interesit.

Ndërhyrjet kryesore në legjislacion adresojnë dhe zgjidhin një sërë aspektesh të forcimit të funksionimit të shërbimit civil në praktikë, si më poshtë:

  • Standard unik rekrutimi për të gjithë administratën publike: Rekrutimi me bazë merite shtrihet në të gjitha institucionet publike, pavarësisht nëse janë apo jo pjesë e shërbimit civil. Procesi administrohet nga një Komision Kombëtar i Atestimit me përfaqësim nga qeveria, institucionet e pavarura dhe qeverisja vendore.
  • Model i ri i përmirësuar për pranimin në nivelin hyrës: Zhvillohet me dy faza:
    • Testim kombëtar i uniformizuar, i zhvilluar nga DAP për të gjithë kandidatët e interesuar.
    • Konkurs specifik për pozicionin, i zhvilluar nga institucioni që ka vendin vakant, nën mbikëqyrjen e DAP.
  • Ristrukturim i modelit të rekrutimit për nëpunësit e nivelit të lartë drejtues:
    • Transparencë, fleksibilitet dhe siguri e shtuar në rekrutim dhe trajtimin e nëpunësve të nivelit të lartë.
    • Shpallje e pozicioneve individualisht për çdo vakancë.
    • Sekretarët e Përgjithshëm dhe titullarët e institucioneve do të kenë mandate 5-vjeçare të rinovueshme.
    • Kufizohen ndërhyrjet diskrecionare në përzgjedhje.
  • Sistem më i hapur dhe më fleksibël karriere për më shumë ekspertizë të re dhe më të madh profesional:
    • Qarkullim më i madh midis profesionistëve mes sektorit publik dhe atij privat.
    • Rritje e kufirit për kandidatët që mund të rekrutohen nga jashtë, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda administratës publike brenda një viti.
    • Mundësi e shtuar për rikthimin në shërbimin civil pas eksperiencave jashtë tij.
  • Strukturë e riformatuar pagash që inkurajon performancën dhe rrit motivimin:
    • Hiqet avancimi automatik në shkallët e pagës.
    • Parashikohet bonus vjetor për performancë të lartë, për një përqindje të kufizuar punonjësish.
    • Sistem i ri vlerësimi performance me 5 nivele nga 4 nivele që parashikohet aktualisht.
Scroll to Top