KPA konfirmon në detyrë prokurorin Julian Çafka

Kolegji konfirmon në detyrë prokurorin Julian Çafka

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) njoftoi të premten mbrëma vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Gjirokastrës, Julian Çafka. Ky vendim vjen pas përfundimit të trajnimit njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës, të cilin ai duhej ta kryente si pasojë e problemeve profesionale të konstatuara.

Vendimi u mor me shumicë votash nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo. Ai u mor pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të rezultateve të arritura nga prokurori Çafka gjatë trajnimit.

Vendimi i Kolegjit është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Prokurori Julian Çafka ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) më 14 shtator 2021. Megjithëse disa çështje të denoncuara nga publiku dhe për të cilat u konstatuan mangësi në hetimet e kryera nuk rezultuan penalizuese, KPK vendosi të transferonte pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dy çështje të hetuara nga prokurori në vitet 2018 dhe 2019.

Vendimi i KPK-së u ankua në KPA nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa. Ky i fundit evidentoi probleme profesionale të subjektit dhe kërkoi që ai të dërgohej për një trajnim të detyrueshëm njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës. Kjo kërkesë u gjet e drejtë nga shumica e trupit gjykues të Kolegjit.

Scroll to Top