Interi kërkon fitoren e radhës në Champions League, trajneri Kivu kërkon seriozitet maksimal kundër Almatit dhe thekson gatishmërinë e katër sulmuesve.
Në prag të sfidës së katërt të fazës së grupeve të Champions League, Interi përgatitet të përballet në “San Siro” me Kairat Almatin, skuadrën kazake që synon një surprizë të madhe.
Trajneri Kristian Kivu, gjatë konferencës për shtyp, kërkoi vëmendje maksimale nga lojtarët e tij dhe paralajmëroi se në Champions League “asgjë nuk është e lehtë”.
“Duhet seriozitet maksimal, angazhim maksimal dhe të jemi versioni më i mirë i Interit. Fitoret nuk janë kurrë të sigurta në këtë kompeticion,” deklaroi Kivu.
Ai theksoi se skuadra duhet të ruajë përulësinë dhe qetësinë, edhe pas formës së mirë të treguar ndaj Ajaks, Slavia Pragës dhe Union SG.
Trajneri rumun foli edhe për kthimin e Marcus Thuram, i cili është rikuperuar plotësisht dhe është në dispozicion.
“E kemi në listë dhe do të vlerësojmë nëse do ta aktivizojmë. E rëndësishme është që kam në dispozicion të katër sulmuesit,” u shpreh Kivu.
Sa i përket Lautaro Martínez, kapitenit zikaltër, Kivu e vlerësoi për përkushtimin e tij, por i dha edhe një këshillë me buzëqeshje.
“Lautaro nuk është rastësi, ai punon shumë çdo ditë. Por ndonjëherë duhet të mësojë të buzëqeshë më shumë dhe të shijojë momentin. Kur ndjen peshën e udhëheqjes, mund të bëhet tepër serioz.”
Tekniku ndaloi edhe te aspekti mbrojtës, pas disa golave të pësuar në ndeshjet e fundit.
“Ndonjëherë preferoj të fitojmë 4-3 sesa 1-0. Lojtarët e mi japin gjithçka në fushë dhe janë të ndërgjegjshëm se mund të përmirësohemi. Reagimi pas ndeshjes me Napolin ishte pozitiv, por kërkoj vazhdimësi.”
Kivu shpjegoi se brenda grupit ekziston fryma e duhur.
“Kam një skuadër të pjekur dhe të përgjegjshme. E dimë që do të ketë momente të vështira, por duhet t’i përballojmë me kokën lart dhe shpinën drejt. Futbolli është si stuhia – e di që do të vijë, por duhet të jemi gati ta kalojmë bashkë.”
Në lidhje me përballjen që e pret Interin, trajneri kërkoi respekt maksimal për kundërshtarin.
“Kairat ka kaluar katër raunde kualifikuese. Kjo tregon se nuk është rastësisht këtu. Nuk ekzistojnë ndeshje të lehta në Champions.”
Në fund, një mesazh për grupin:
“Rregulli i parë është të dish të humbasësh. Vetëm kështu mëson të fitosh. Ne kemi lojtarë ambiciozë, por mbi të gjitha profesionistë që respektojnë stemën në gjoks. Perfeksioni nuk ekziston, por përulësia dhe bashkimi po.”
Interi synon fitoren e katërt radhazi në fazën e Ligës për të siguruar matematikisht kualifikimin në fazën e 1/8-ve, ndërsa Kivu kërkon nga të tijtë të vazhdojnë të ëndërrojnë me këmbët në tokë.
