Vuçiç e Zelensky, bisedë për bashkëpunim dhe integrim evropian

Aleati i Putinit në Evropë, Vuçiç zhvillon bisedë telefonike me Zelenskyn për mundësi bashkëpunimi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky. Temat kryesore të diskutimit ishin raportet mes dy vendeve, integrimet evropiane dhe “agjenda ndërkombëtare për periudhën e ardhshme”.

“U pajtuam që ekziston hapësirë për mbështetje reciproke, mbi të cilën do të vazhdojmë të punojmë së bashku,” shkroi Vuçiç në Instagram, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ai shtoi se me Zelenskyn u dakorduan të mbajnë kanale komunikimi të hapura edhe në të ardhmen.

Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi në platformën X se biseda me Vuçiç u fokusua edhe te mundësitë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë rajonale. “Vendet tona ndajnë këtë interes dhe do të punojmë mbi të. Rishikuam agjendën ndërkombëtare për të ardhmen e afërt dhe u pajtuam të qëndrojmë në kontakt dhe të vazhdojmë koordinimin,” shkroi Zelensky.

Serbia është ndër pak vendet evropiane që nuk ka aplikuar sanksione kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Megjithatë, Beogradi ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës dhe i ka dërguar disa herë ndihma humanitare këtij vendi, i cili po përballet me pushtimin në shkallë të plotë nga Rusia që nga shkurti i vitit 2022.

Zyrtarisht, Serbia ka mohuar disa herë eksportin e drejtpërdrejtë të armëve drejt Ukrainës, duke vlerësuar se nuk mund të kontrollojë nëse armë serbe të blera nga vende të treta përfundojnë në frontin ukrainas.

Scroll to Top