Trump në OKB: “Të tjerët kanë folur, unë kam bërë paqe” – presidenti amerikan deklaron gabimin në ofertën drejtuar Iranit dhe dilemën për të ardhmen
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i dërgoi një mesazh të qartë regjimit të Teheranit gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ai rrëfeu prapaskenat e përplasjeve diplomatike dhe ushtarake me Iranin, duke lëshuar paralajmërime të forta për të ardhmen e Republikës Islamike.
Duke iu drejtuar liderëve botërorë, Trump theksoi se administrata e tij nuk ka asnjë qëllim të lejojë rritjen e rreziqeve globale apo përkeqësimin e problemeve me kalimin e kohës.
“Ndërsa të tjerët kanë folur, unë kam vepruar. Ndërsa të tjerët kanë folur për paqe, unë kam bërë paqe. Ndërsa të tjerët kanë injoruar kërcënimet, unë i kam përballur ato,” deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Duke u përqëndruar te marrëdhëniet me atë që ai e quajti “regjimi fanatik iranian”, Trump zbuloi dy pika kyçe ku, sipas tij, Teherani bëri gabime strategjike fatale:
- “Me marrjen e detyrës vitin e kaluar, unë menjëherë hapa negociatat me Iranin dhe i ofrova atyre bashkëpunim të plotë ekonomik në këmbim të përfundimit të programit të tyre bërthamor dhe mbështetjes për terrorizmin. Por ata refuzuan, refuzuan absolutisht. Ky ishte një gabim i madh,” tha Trump.
Presidenti amerikan kujtoi se pas këtij refuzimi, SHBA ndërmori Operacionin “Çekani i Mesnatës” (Midnight Hammer), ku ushtria amerikane shkatërroi kompleksin bërthamor iranian nën male. Megjithatë, sipas Trump, Teherani refuzoi për herë të dytë kërkesën për marrëveshje, duke zhvilluar gjithashtu një raketë me rreze të gjatë veprimi të aftë për të goditur Evropën.
Lidhur me hapat e mëtejshëm në këtë përplasje, Trump u shpreh se tani duhet të marrë një vendim përfundimtar midis dy rrugëve: arritjes së një marrëveshjeje që lejon rindërtimin e ekonomisë iraniane, ose goditjes me forcë të plotë ushtarake.
“A ta shkatërroj Republikën Islamike, dhe ta bëj shpejt? A t’i çoj unë në ferr?” u shpreh Trump para Asamblesë së Përgjithshme.
Pavarësisht retorikës së ashpër, udhëheqësi amerikan shprehu besimin se liderët e Iranit do të ulen në tryezën e bisedimeve dhe se një marrëveshje dypalëshe do të arrihet menjëherë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA gjatë muajit nëntor.
