KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit Agron Zhukri

KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit Agron Zhukri

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur të enjten, më 6 nëntor, të lërë në fuqi vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Tiranës, Agron Zhukri.

Ky vendim u mor unanimisht nga trupi gjykues i Kolegjit, i përbërë nga kryesuesi Sokol Çomo, relatorja Natasha Mulaj dhe anëtarët Albana Shtylla, Ina Rama e Mimoza Tasi. Vendimi u mor pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të paraqitur nga Zhukri kundër vendimmarrjes së Komisionit.

Vendimi i KPA-së është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Agron Zhukri, gjyqtar pranë Gjykatës së Tiranës, nuk zotëronte asnjë pasuri të regjistruar në emër të tij. Megjithatë, bashkëshortja e tij zotëronte pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat ishin krijuar gjatë martesës. Në disa prej këtyre pasurive, burimet e krijimit ishin deklaruar si të ardhurat nga puna e përbashkët.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke u bazuar në Kodin e Familjes, vlerësoi se këto pasuri i nënshtrohen regjimit pasuror martesor të bashkësisë ligjore të të dy bashkëshortëve.

Një bilanc negativ në vlerë të konsiderueshme dhe pasaktësi në deklarimet e pasurive çuan në vendimin për shkarkimin e Zhukrit nga detyra.

Agron Zhukri e nisi karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe shërbeu për më shumë se dy dekada si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.

Scroll to Top