“Qëllim destabilizimi dhe hakmarrja ndaj BE-së”: Rusia po rekruton kriminelë për sabotim në të gjithë Evropën
Rusia po përdor rrjete kriminale për të kryer akte sabotimi në të gjithë Evropën, duke rekrutuar persona rusishtfolës me të kaluar kriminale, kryesisht nëpërmjet platformës “Telegram”. Qëllimi kryesor i këtyre operacioneve është destabilizimi i Bashkimit Evropian dhe hakmarrja për mbështetjen e dhënë Ukrainës.
Sipas një studimi të përbashkët të OJQ-së GLOBSEC dhe Qendrës Ndërkombëtare për Kundër-Terrorizëm (ICCT), Rusia ka krijuar një rrjet agjentësh për të avancuar strategjinë e saj të luftës hibride kundër Evropës. Ky rrjet përfshin lidhje të ngushta mes institucioneve shtetërore dhe botës kriminale.
Rezultatet e studimit, të prezantuara në Bruksel, tregojnë se personat me antecedente kriminale dhe që flasin rusisht po rekrutohen për të kryer operacione sabotimi në mbarë kontinentin. Këto taktika lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër Ukrainës, duke theksuar se “operacionet hibride nuk janë një veprim i dytësor, por një shtyllë kryesore e strategjisë së Rusisë”. Studiuesit krahasojnë këto metoda me ato të Shtetit Islamik (IS), duke vënë në dukje se “këtë herë, nuk është një organizatë terroriste, por një shtet që udhëheq rekrutimin dhe operacionet”.
Kriminelët dhe sabotazhet
Mes janarit 2022 dhe korrikut 2025, janë regjistruar 110 përpjekje sabotimi dhe sulmi të lidhura me Rusinë në Evropë, kryesisht në Poloni dhe Francë. Nga këto, 89 ishin të suksesshme, ndërsa 21 u parandaluan në kohë. Autorët e studimit vlerësojnë se numri i sulmeve të parandaluara mund të jetë më i lartë, pasi shërbimet e inteligjencës nuk publikojnë gjithmonë të gjitha të dhënat.
Janë identifikuar 131 persona të lidhur me këto incidente, nga të cilët të paktën 35 kishin dënime të mëparshme dhe u rekrutuan në burgje ose përmes organizatave kriminale. Kremlini kryesisht rekruton meshkuj rreth të 30-ave, nga vendet post-sovjetike, të cilët flasin rusisht dhe jetojnë në rrethana të vështira. Rekrutimi bëhet shpesh online, nëpërmjet “Telegram”, por edhe përmes rrjeteve personale. Motivi kryesor për pjesëmarrjen në sabotim është financiar, duke filluar nga shuma modeste për shpërndarje fletëpalosjesh pro-ruse deri te shuma të konsiderueshme për sulme ndaj infrastrukturës kritike.
Hakmarrja ndaj BE për ndihmën e Ukrainës
Për të financuar këto aktivitete, Moska përdor gjithashtu metoda të paligjshme për të anashkaluar sanksionet perëndimore të vendosura për shkak të Ukrainës. Studimi thekson se “këto kanale i lejojnë Kremlinit të shmangë kufizimet dhe të përfshijë më thellë rrjetet kriminale në strategjinë e tij të luftës hibride”. Sipas tyre, “flukset e paligjshme të parave, krimi dhe operacionet hibride nuk janë të ndara, por elementë të një plani të vetëm veprimi.” Gjithashtu, “fushata ushtarake e Rusisë – bombardimet, sulmet me zjarrvënie, përpjekjet për vrasje – duhet të shihen si ndëshkim për mbështetjen e BE-së për Ukrainën, por edhe si përgatitje për një konflikt të mundshëm më të madh.”
Krimi si mjet shtetëror
Dominika Hajdu nga GLOBSEC shpjegon se përdorimi i kriminelëve nga autoritetet ruse nuk është një fenomen i ri. Ajo thekson se pas rënies së Bashkimit Sovjetik, lufta kundër korrupsionit në Rusi nuk ka qenë prioritet, duke lejuar që korrupsioni të bëhet normë dhe metodë funksionimi e institucioneve shtetërore. Në vitin 1994, mbi 500 grupe kriminale vepronin në Rusi, duke kontrolluar rreth 40.000 kompani. Në fillim të viteve 2000, ish-oficerët e KGB-së konsoliduan kontrollin mbi shtetin, dhe lidhjet e tyre me botën e krimit u bënë pjesë e sistemit shtetëror.
BE duhet të reagojë
Politikani polak Bartłomiej Sienkiewicz, anëtar i Parlamentit Evropian, beson se Kremlini ka përdorur prej kohësh metoda kriminale dhe botën e krimit për të rekrutuar agjentë në Evropë. Ai thekson nevojën për reagim nga ana e BE-së, duke përmendur shembullin e dronëve që kanë paralizuar aeroportet. “Ne duam të veprojmë kundër rekrutëve, por aktivitetet në ‘Telegram’ ende nuk janë ndaluar, megjithëse BE duhet të kontrollojë platforma të tilla,” paralajmëron Sienkiewicz.
Rekomandime për BE-në
Autorët e studimit propozojnë masa për reagimin e BE-së, duke përfshirë:
- Monitorim më të mirë të platformave online, veçanërisht “Telegram”.
- Zgjerimin e përkufizimit të “kërcënimeve hibride”, për të përfshirë më mirë rolin e “aktorëve informalë si grupet kriminale, ndërmjetësit ideologjikë ose individët që veprojnë në interes vetjak”.
Ky boshllëk ligjor i lejon Rusisë të mohojë përgjegjësinë për sulmet dhe sabotimin. Dominika Hajdu nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit midis sektorit publik dhe privat, duke argumentuar se “kompanitë private në Evropë kanë mekanizma më të sofistikuar për zbulimin e aktiviteteve kriminale ruse”. Ajo mbështet krijimin e një platforme koordinimi për të parandaluar sulmet hibride ruse kundër vendeve evropiane./DW
