Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur urdhrin e parë pas rikthimit në detyrë, duke kërkuar nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për festat e fundvitit në kryeqytet.
Sipas dokumentit zyrtar, Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve do të marrë masat për vendosjen e ndriçimeve dhe zbukurimeve festive në sheshe, rrugë dhe hapësira publike, duke respektuar standardet më të larta të sigurisë, si edhe kriteret teknike dhe estetike të përcaktuara.
Gjithashtu, theksohet se në zbatim të vendimit nr. 420, datë 8 qershor 2006 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, do të merren masa për dekorimin e godinave të ministrive, sipas kërkesave të institucioneve përkatëse.
