Trump shpreh besim tek Al-Sarrah dhe pezullon sanksionet ndaj Sirisë për 180 ditë të tjera
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur besim tek Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sarrah, duke njoftuar gjithashtu pezullimin e sanksioneve ndaj Sirisë për 180 ditë të tjera.
Al-Sarrah, ish-xhihadist, u prit nga Presidenti Trump në një vizitë historike në Shtëpinë e Bardhë të hënën (10/11). Në kuadër të kësaj vizite, Departamenti i Shtetit njoftoi pezullimin e sanksioneve kundër Sirisë për 180 ditë të tjera, duke marrë parasysh vendimin e Kongresit të SHBA-së për t’i hequr ato përfundimisht.
Presidenti sirian mbërriti në Shtëpinë e Bardhë në orën 11:37 të paradites, duke mos ndjekur protokollin standard për krerët e shteteve dhe qeverive. Gazetarët nuk ishin të pranishëm në Zyrën Ovale gjatë takimit fillestar, siç është zakoni gjatë vizitave zyrtare.
Ahmed al-Sarra u largua nga Shtëpia e Bardhë rreth orës 13:20, duke u ndalur për të përshëndetur mbështetësit e tij.
Duke folur me gazetarët, Trump u shpreh se ka besim tek presidenti i përkohshëm sirian, duke theksuar marrëdhëniet e mira mes tyre dhe duke vlerësuar punën e tij në vend. “Ata thonë se ai kishte një të kaluar të vështirë. Ne të gjithë kemi pasur një të kaluar të vështirë,” tha Trump.
Në një deklaratë të shkurtër, presidenca siriane bëri të ditur se dy udhëheqësit diskutuan “mënyrat për të zhvilluar dhe forcuar” marrëdhëniet dypalëshe, si dhe “çështje rajonale dhe ndërkombëtare”.
Ministri i Informacionit, Hamza al-Mustafa, njoftoi në platformën X se Siria së fundmi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me koalicionin ndërkombëtar anti-xhihadist, formuar në vitin 2014 për të mposhtur Shtetin Islamik (IS). Ai sqaroi se marrëveshja është politike dhe nuk përfshin komponentë ushtarakë për momentin.
Ahmed al-Sarra mori detyrën në Damask në dhjetorin e kaluar si kreu i një koalicioni islamist që rrëzoi Presidentin Bashar al-Assad. Që atëherë, ai ka udhëtuar gjerësisht jashtë vendit, ndërsa qeveria e tij kalimtare synon ta nxjerrë Sirinë nga izolimi ndërkombëtar që ajo përjetoi nën drejtimin e Assadi-t.
