Serbia kryeson përdorimin e ChatGPT në Ballkan, Shqipëria mbrapa

Serbia kryeson përdorimin e ChatGPT në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria renditet pranë fundit.

Përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) po rritet me ritme të shpejta në mbarë botën, por përhapja e saj ndryshon ndjeshëm mes vendeve. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Serbia shquhet për përdorimin më të lartë të ChatGPT, ndërsa Shqipëria pozicionohet në fund të renditjes, sipas të dhënave të publikuara nga Banka Botërore.

Në maj 2025, Serbia shënoi 231 vizita në ChatGPT për çdo 100 përdorues interneti, duke regjistruar nivelin më të lartë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor të përfshira në analizë. Pas Serbisë, vijojnë Maqedonia e Veriut me 166 vizita dhe Mali i Zi me 146 vizita për 100 përdorues interneti. Shqipëria regjistroi 142 vizita, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën, me 134 vizita.

Krahasuar me ekonomitë e zhvilluara, përdorimi i ChatGPT në rajonin tonë mbetet më i ulët. Për shembull, Gjermania regjistroi 274 vizita, Franca 262, Spanja 254 dhe Suedia 351 vizita për 100 përdorues interneti. Australisë i shënoi 447 vizita, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës 245 vizita.

Dallimet në përdorimin e IA-së kanë implikime të rëndësishme edhe për ekonominë. Banka Botërore e cilëson inteligjencën artificiale një teknologji transformuese, me potencial për të rritur produktivitetin, për të përshpejtuar rritjen ekonomike dhe për të ndryshuar mënyrën e organizimit të punës dhe ofrimit të shërbimeve. Ajo mund të reduktojë kohën dhe kostot e proceseve të ndryshme, të ndihmojë bizneset në automatizimin e detyrave dhe analizën e të dhënave, si dhe të rrisë produktivitetin e punonjësve. Pritet që ndikimi i IA-së të shtrihet në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë arsimin, shërbimet, bujqësinë dhe aktivitetet profesionale.

Për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, ku produktiviteti dhe konkurrueshmëria janë sfida afatgjata, përhapja më e shpejtë e teknologjive të IA-së mund të përmirësojë aftësinë e bizneseve për të konkurruar me kompanitë e vendeve më të zhvilluara.

Megjithatë, Banka Botërore paralajmëron se përfitimet nga IA-ja nuk shpërndahen automatikisht. Vendet me infrastrukturë dixhitale më të dobët, aftësi teknologjike më të kufizuara dhe kapacitete llogaritëse më të vogla rrezikojnë të mbeten pas vendeve që përvetësojnë teknologjinë më shpejt. Kostoja e aksesit në internet mbetet një pengesë kryesore në ekonomitë më të varfra. Sipas Bankës Botërore, në vendet me të ardhura të ulëta, një paketë celulare prej 5 GB mund të kushtojë mbi 15% të buxhetit mesatar të një personi.

Burimi: Banka Botërore (matja maj 2025)

Scroll to Top