Projektligj Rritje Sigurim Depozitash në 6 Milionë Lekë

Projektligji për rritjen e kufirit të sigurimit të depozitave është gati

Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) ka finalizuar një projektligj që synon rritjen e kufirit ligjor për sigurimin e depozitave në 6 milionë lekë.

Në një fazë të dytë, pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ky kufi do të rritet më tej në 100 mijë euro, duke u harmonizuar me legjislacionin europian.

Aktualisht, sipas ligjit në fuqi, ASD siguron depozitat bankare deri në shumën e 2.5 milionë lekëve, ndërsa depozitat në shoqëritë e kursim-kreditit mbulohen deri në 2 milionë lekë.

Direktiva e Bashkimit Europian 49/2014 përcakton një nivel minimal të sigurimit të depozitave bankare prej 100 mijë euro në vendet anëtare. Projektligji i propozuar nga ASD ka si qëllim përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me këtë direktivë.

Projektligji propozon që në rast të një ngjarje sigurimi, niveli i mbulimit do të jetë deri në 6 milionë lekë për depozitat e agreguara të çdo depozituesi në një institucion kreditues anëtar të skemës. Për Shoqëritë e Kursim-Kreditit (SHKK), kufiri mbetet i pandryshuar, deri në 2 milionë lekë për depozitat e agreguara.

Një risi e projektligjit është kompensimi i depozitave me balancë të përkohshme deri në kufirin e 15 milionë lekëve. Kjo masë vlen për fondet e transferuara në llogari ose të bëra ligjërisht të transferueshme brenda gjashtë muajve përpara datës së ngjarjes së sigurimit.

Depozitat me balancë të përkohshme përfshijnë ato që rrjedhin nga:

  • Transaksionet për pasuri të paluajtshme banimi, me kusht dokumentimin përkatës nga individi.
  • Përfitimet sociale të lidhura me ngjarje si martesa, divorci, pensioni, lindja, trashëgimia, etj., të dokumentuara sipas legjislacionit.
  • Përfitimet nga sigurimi dhe risigurimi, të vërtetuara nga shoqëritë përkatëse.
  • Dëmshpërblime për dënime të padrejta penale, të konfirmuara me vendim gjyqësor.

Shuma e kompensimit për depozitat me balancë të përkohshme nuk do të agregrohet me shumën e kompensimit për depozituesin kryesor.

Një ndryshim i rëndësishëm për bankat pjesëmarrëse është kalimi nga një kontribut uniform fiks në një kontribut të ndryshueshëm, bazuar në profilin e rrezikut të secilit institucion.

Institucionet e kreditit anëtare do të paguajnë kontribute vjetore të primeve të bazuara në rrezik, të cilat do të llogariten në përpjesëtim me shumën e depozitave të siguruara dhe shkallën e rrezikut të marrë përsipër.

Banka e Shqipërisë, me propozim të Këshillit Drejtues të ASD-së, do të miratojë metodologjinë për llogaritjen e këtyre kontributeve. ASD do të vlerësojë çdo pesë vjet nevojën për rishikim të metodologjisë.

Këshilli Drejtues i ASD-së do të përcaktojë nivelin e synuar të fondit të sigurimit të depozitave në institucionet e kreditit dhe afatin për arritjen e tij. Ky nivel, në çdo rast, nuk do të jetë më pak se 0.8% e shumës së depozitave të siguruara në institucionet anëtare të skemës.

Scroll to Top