Skandali financiar trondit Turqinë! Arrestohet themeluesi i firmës së investimeve, në hetim edhe ish-ambasadori
Autoritetet turke kanë arrestuar themeluesin e kompanisë së ndërmjetësimit Tera Yatirim Menkul Degerler AS. Ky arrestim bëhet në kuadër të një hetimi të gjerë financiar, të lidhur me rënien e disa fondeve të investimeve, nga të cilat dyshohet se janë zhdukur miliarda dollarë të investitorëve.
Emre Tezmen, themelues dhe kryetar i kompanisë, u ndalua më 19 shtator dhe u arrestua zyrtarisht në orët e para të së mërkurës, sipas raportimeve të televizionit turk NTV.
Bashkë me Tezmen, janë arrestuar edhe anëtarët e bordit të Tera-s, Kerem Alkin dhe Emre Alkin, si dhe drejtuesi i kompanisë, Alper Ozturk. Në të njëjtën çështje është arrestuar edhe Serdar Turhan, kryetar i Pusula Finans Holding AS.
Ky rast ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme për shkak të profilit të disa prej personave të përfshirë. Kerem Alkin ka mbajtur më parë poste të rëndësishme diplomatike dhe ka shërbyer si ambasador dhe përfaqësues i përhershëm i Turqisë në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) nga viti 2021 deri në vitin 2024. Ai u largua nga Ministria e Jashtme turke vitin e kaluar.
Vëllai i tij, Emre Alkin, është një ekonomist dhe komentator i njohur në mediat televizive turke.
Hetimi lidhet me kolapsin e fondeve të investimeve dhe humbjen e shumave të mëdha të parave të investitorëve. Autoritetet turke po vijojnë hetimet për të zbardhur përgjegjësitë dhe mënyrën se si janë zhdukur fondet.
