“Merrni kredi se një miliarder do t’ju ndryshojë jetën”
Policia australiane arreston një “fallxhore” të akuzuar për mashtrim me vlerë 250 milionë dollarë; “e hodhën në erë” edhe bankat.
Një grua dhe vajza e saj janë arrestuar dhe akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash me vlerë rreth 70 milionë dollarë australianë, pas një hetimi të gjerë mbi një sindikatë të dyshuar financiare në Australi.
E ëma, 53 vjeç, e cila prezantohej si fallxhore dhe eksperte e feng shui-t, dyshohet se ka mashtruar klientë të cilët ishin në gjendje të vështirë financiare, kryesisht nga komuniteti vietnamez. Ajo i ka bindur ata të marrin kredi me premtimin se “një miliarder” do t’u ndryshojë jetën.
Gruaja u arrestua në rezidencën e saj luksoze në Dover Heights, Sydney, ndërsa vajza e saj 25-vjeçare u ndalua gjatë së njëjtës operacion.
Sipas policisë, të dyja ishin pjesë integrale e një sindikate shumë të sofistikuar mashtrimi dhe pastrimi parash, që besohet se ka mashtruar bankat australiane me shuma që arrijnë deri në 250 milionë dollarë australianë.
Gjatë kontrollit të rezidencës, hetuesit sekuestruan dokumente financiare, telefona celularë, çanta luksoze, një shufër ari 40 gramëshe dhe çipa kazinoje në vlerë prej 6,600 dollarësh australianë.
Policia ngriti gjithashtu sekuestro mbi 15 milionë dollarë australianë në asete të dyshuara, përveç 60 milionë dollarëve të ngrirë më parë gjatë hetimeve.
Nëna përballet me 39 akuza, përfshirë drejtimin e një grupi kriminal dhe përfitimin e padrejtë financiar përmes mashtrimit. Vajza e saj është akuzuar për shtatë vepra penale, përfshirë trajtimin e pakujdesshëm të të ardhurave nga aktivitete kriminale.
Ajo u la e lirë me kusht, ndërsa e ëma mbetet në paraburgim dhe pritet të paraqitet para gjykatës të enjten.
Hetimi, i koduar si “Strike Force Myddleton”, nisi vitin e kaluar për mashtrime me kredi të ashtuquajtura “makina fantazmë” – automjete luksoze që në fakt nuk ekzistonin.
Sipas Sydney Morning Herald, dyshja nënë e bijë kanë lidhje me të ashtuquajturën “Sindikata Penthouse”, e cila udhëhiqej nga një person që banonte në një apartament prej 18 milionë dollarësh në Sydney.
Detektivi Gordon Arbinja, komandant i skuadrës së krimeve financiare, e përshkroi rastin si “një nga sindikatat më të sofistikuara të krimit financiar të zbuluara ndonjëherë në Australi”.
Deri më tani janë arrestuar mbi një duzinë personash, përfshirë anëtarë të stafit të bankave të dyshuar për korrupsion. Policia paralajmëron më shumë arrestime, duke përfshirë avokatë, kontabilistë dhe zhvillues pronash që mund të kenë bashkëpunuar me sindikatën.
