Të shtëna pranë një shkolle në Turqi: 11 nxënës të plagosur, dy në gjendje kritike, arrestohet 15-vjeçari
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Manisës në Turqi, ku 11 nxënës janë plagosur nga të shtënat me armë pranë një shkolle të mesme. Dy prej nxënësve të plagosur ndodhen në gjendje kritike, ndërsa autoritetet kanë arrestuar një 15-vjeçar, i dyshuar si autor i sulmit.
Ngjarja ka ndodhur pranë Shkollës së Mesme Profesionale dhe Teknike Anatolian Inci Uzmez, në lagjen Turgutlu të Manisës. Policia dhe ekipet mjekësore janë aktivizuar menjëherë pas raportimit për të shtëna, rreth orës 07:59. Të plagosurit janë transportuar në spitalet e zonës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Ministri i Drejtësisë i Turqisë, Akin Gurlek, ka deklaruar se është hapur një hetim i gjerë gjyqësor. “Sulmi me armë, në të cilin u plagosën 11 nga studentët tanë, dy prej të cilëve rëndë, na ka tronditur thellësisht të gjithë,” ka thënë Gurlek.
Sipas ministrit, përveç 15-vjeçarit të dyshuar, janë arrestuar edhe nëna, babai dhe gjyshi i tij. Autoritetet po hetojnë gjithashtu mënyrën se si arma ka përfunduar në duart e të miturit. Policia vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e rrethanave që çuan në përdorimin e armës pranë shkollës.
