Shqipëria hap grupkapitullin e fundit, drejt anëtarësimit në BE!

Shqipëria hap grupkapitullin e fundit për anëtarësimin në BE. Rama në Bruksel: Sprapsjet dhe sfidat na bënë më të fortë! Shqipëria del me krenari nga kjo fazë.

Shqipëria ka hapur sot grupkapitullin e fundit të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, atë të “Bujqësisë dhe Kohezionit”. Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference të përbashkët për mediat në Bruksel, deklaroi se hapja e të gjithë grupkapitujve të negociatave me BE, e cila një vit më parë dukej si një ëndërr e largët, sot është kthyer në realitet dhe në një plan konkret pune.

Ai theksoi se periudha kur BE ishte sfiduese për Shqipërinë e ka bërë vendin më të fortë. “Vetëm pak kohë më parë, kjo dukej si e pamundur dhe ishim në pikën ku po mësoheshim me sprapsjet dhe sfidat, por besoj se ai rrugëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm për natyrën e jashtëzakonshme të procesit dhe më të pjekur. Ja ku jemi sot, aty ku ajo që ishte vetëm ëndërr pak më shumë se një vit më parë, është tashmë e transformuar në një plan pune, një realitet me të cilin do punojmë në jetën e përditshme.”

Kryeministri Rama falënderoi për kontributin e tyre Marian dhe Martën. ” dua të falenderoj me zemër Marian dhe Martën. Marian për transformimin e fjalëve të presidencës daneze në vepra për zgjerimin, duke mbështetur dhe inkurajuar për të ecur përpara, dhe Martën, e cila është kampione e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.”

Ai shtoi: “Me zjarr dhe vullnet të fortë, që na bën të gjithë të ndihemi plot energji dhe në borxh nëse nuk realizojmë në kohë. Jam i frymëzuar nga këto muaj dhe nga mbështetja e fortë që procesi i zgjerimit dhe i ribashkimit të Evropës po merr. Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, disiplinë dhe punë të madhe për të dhënë rezultate, që ky proces që po ndërtojmë gur pas guri të mos ndalet. Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë dhe madje me ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE-në dhe anëtarësimin në BE, më shumë sesa 90% e qytetarëve tanë. Jam i sigurt që ata pak që nuk janë në këtë përqindje të vogël, thjesht nuk do të ketë qenë ditë e mirë kur është bërë sondazhi, sepse është vështirë të mendojë ndonjë shqiptar që anëtarësimi në BE nuk është ideja më e mirë dhe horizonti drejt të cilit duhet të synojmë për fëmijët tanë.”

Rama vuri në dukje mësimin e nxjerrë nga ky proces: “Dua të shtoj se, qoftë ajo mënyra e fortë dhe e butë me të cilën jemi përballur na ka mësuar: kurrë mos merr asgjë të mirëqenë në Bruksel. Kur të buzëqeshin, shijoje, por mos e merr si të mirëqenë. Mund t’ju zhduket nga fytyra sa hap e mbyll sytë. Kështu vazhdo, puno fort dhe përgjigju me përulësi dhe rezultate. Këto dy gjëra janë ato që këta vlerësojnë më shumë.”

Ai përfundoi duke thënë: “E kam thënë me mentorin tonë, Komisionin Europian dhe me të urtët nga ana tjetër, shtetet anëtare: jemi në duar të mira nëse nuk harrojmë se puna e duarve tona është ajo që ka rëndësi, jo për ta, por për ne. Për popullin shqiptar dhe brezin e ardhshëm.”

Scroll to Top