ERE pezullon licencën e TEC-eve lundruese në Vlorë deri në sqarimin e lejes mjedisore
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka pezulluar procedurën e licencimit për prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet lundruese (TEC) “Tigri 1” dhe “Tigri 3” në Vlorë. Ky vendim, i datës 3 shtator, cakton se pezullimi do të zgjasë deri në momentin kur Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) do të sqarojë vlefshmërinë e lejeve mjedisore për operimin e këtyre dy TEC-eve lundruese.
“Pezullimi do të vijojë deri në sqarimin nga AKM të vlefshmërisë së lejeve mjedisore për operimin e këtyre TEC-eve”, thuhet në vendimin e ERE.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) kishte kërkuar më 6 korrik 2026 nisjen e procedurës për rilicencimin e aktivitetit të prodhimit të energjisë elektrike nga TEC-et lundruese “Tigri 1”, me kapacitet të instaluar 50 MW, dhe “Tigri 3”, me kapacitet 60 MW. Të dyja platformat ndodhen në Portin e Triportit, në Gjirin e Vlorës.
Për këto impiante, Agjencia Kombëtare e Mjedisit kishte lëshuar një deklaratë mjedisore në vitin 2022, e cila përcaktonte edhe detyra për institucionet për garantimin e mbrojtjes së mjedisit. Rihapja e procedurës së licencimit është shoqëruar me kundërshtime nga ambientalistë, avokatë dhe inxhinierë, të cilët kanë shprehur shqetësime për ndikimin në mjedis dhe ndotjen e shkaktuar nga prodhimi i energjisë përmes TEC-eve lundruese.
KESH u licencua për herë të parë për prodhimin e energjisë nga “Tigrat” në vitin 2023, për një periudhë dy-vjeçare, ndërsa TEC-et nisën prodhimin në shtator 2024. Sipas të dhënave të bëra publike nga KESH, dy impiantet kanë prodhuar deri më tani rreth 110 mijë MWh energji elektrike.
Ndërkohë, operimi i tyre është shoqëruar me kosto të konsiderueshme. Vetëm për qiranë dhe mirëmbajtjen e dy TEC-eve, KESH raportohet se ka paguar rreth 65 milionë dollarë, ndërsa mbi 15 milionë euro janë shpenzuar për lëndë djegëse. Së fundmi është shpallur edhe fituesi i një tenderi me vlerë 5.2 milionë euro për “Depozitim dhe ngarkim-shkarkim të lëndës djegëse për TEC Lundrues, Vlorë”. Për të njëjtin qëllim, në vitin 2023 ishin shpenzuar 7.2 milionë euro.
Paralelisht, KESH ka në proces një tender me vlerë rreth 20 milionë euro për operimin dhe mirëmbajtjen e asetit gjenerues termik në Vlorë.
Dy platformat lundruese mbërritën në Vlorë në shtator 2022. Në atë kohë, ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaronte se TEC-et do të mbulonin rreth 15% të nevojave të konsumit vendas. Megjithatë, prodhimi i tyre ka rezultuar dukshëm më i ulët se pritshmëritë, ndërsa kostoja e prodhimit të energjisë ka arritur deri në rreth 170 euro për MWh.
Në të njëjtën kohë, për të garantuar furnizimin me energji elektrike, KESH ka zhvilluar ankande për blerjen e energjisë. Vetëm në katër ankandet e fundit janë blerë rreth 21.4 milionë euro energji, ndërsa në total blerjet e energjisë nga KESH kanë arritur në rreth 63 milionë euro.
Çështja e TEC-eve lundruese është shoqëruar edhe me përplasje politike. Ish-ministrja Belinda Balluku është kallëzuar në SPAK nga Partia Demokratike, e cila ka ngritur akuza për një abuzim të pretenduar prej 80 milionë dollarësh lidhur me projektin e termocentraleve lundruese.
