Trageti i linjës Brindisi-Vlorë nuk ankorohet në port për shkak të dallgëve të larta.
Trageti i linjës Vlorë-Brindisi, mëngjesin e kësaj të martë, nuk ka mundur të ankorohet në port për shkak të erërave të forta dhe dallgëve të larta. Gjithashtu, ka pasur rrezik përplasje me kalatën e portit të Vlorës.
Për më shumë se tre orë e gjysmë, trageti ka vijuar të qëndrojë në radë, pra në det të hapur.
Ndërkohë, lundrimi detar vijon të mbetet pezulluar për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit, duke filluar nga mbrëmja e së dielës deri ditën e mërkurë.
Vendin e ka përfshirë moti i keq, ndërsa sipas parashikimeve, kjo javë do të sjellë reshje të dendura shiu.