Subvencionimi i qirave në Tiranë: A mjaftojnë 200 euro?

Qeveria do të subvencionojë 200 euro për qiratë deri në 400 euro, por vetëm periferia do të jetë e përballueshme.

Përveç blerjes së një apartamenti në Tiranë, çështja e strehimit është kthyer në një sfidë të papërballueshme edhe për shtresën e mesme, edhe kur bëhet fjalë për qira afatgjatë. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se programi i dytë i reformës së strehimit parashikon subvencionimin e qirasë me 50% për çiftet e reja dhe për emigrantët që do të kthehen në vend.

Në vitin e parë të zbatimit, 3 mijë individë do të përfitojnë nga ky program, ku shteti do të subvencionojë 50% të qirasë, ose deri në 200 euro në muaj. Kryeministri Rama ka sqaruar se subvencionimi do të aplikohet për qiratë e apartamenteve me vlerë deri në 400 euro.

“Nëse i plotëson kriteret dhe ke mundësi të marrësh një apartament me qira 400 euro, 200 euro do të paguhen nga shteti,” ka deklaruar kryeministri Rama.

Thirrja për aplikim do të hapet në muajin dhjetor 2026, ndërsa programi do të zbatohet gjatë vitit 2027.

Ndërkohë, të dhënat nga agjencitë imobiliare tregojnë se në Tiranë, deri në qershor 2026, çmimet mesatare të qirave për banim afatgjatë kanë arritur në 721 euro në muaj (për apartamente tip 1+1 dhe 2+1). Për të përballuar një qira të tillë, një individ duhet të shpenzojë 77% të ardhurave bruto ose 97% të të ardhurave neto (llogaritur sipas pagës mesatare bruto për tremujorin e parë të vitit 2026, e cila ishte 90 mijë lekë).

Deri në qershor 2026, në 13 zona të Tiranës, nga zonat qendrore deri në ato periferike, çmimet mesatare të qirave për apartamente 1+1 varionin nga 340 deri në 830 euro. Vetëm në 3 zona periferike, si Kinostudio (320 euro në muaj), Fresku (346 euro në muaj) dhe Kombinati (350 euro në muaj), çmimet mesatare të qirave për këtë tipologji banesash ishin nën 400 euro në muaj.

Për apartamentet 2+1, çmimet mesatare të qirave variojnë nga 450 deri në 1500 euro në muaj.

Scroll to Top