Probleme Cloudflare Bllokojnë Qindra Faqe Interneti në Botë

Ndërpritet qasja në qindra faqe interneti për shkak të problemeve me Cloudflare; kompania raporton rritje të pazakontë të “trafikut”

Një numër faqesh interneti, duke përfshirë media, institucione, platforma online dhe aplikacione, në të gjithë botën, u bllokuan ditën e martë, si pasojë e problemeve që prekën kompaninë kryesore të infrastrukturës së internetit, Cloudflare.

Sipas BBC, mijëra përdorues raportuan probleme me qasjen në faqe interneti dhe shërbime të tjera.

Cloudflare deklaroi se kishte vërejtur “një rritje të pazakontë të trafikut në një nga shërbimet e Cloudflare duke filluar nga ora 11:20”, e cila kishte shkaktuar probleme me trafikun që kalonte përmes rrjetit të saj.

“Ende nuk e dimë shkakun e kësaj rritjeje të pazakontë të trafikut,” tha kompania, duke shtuar se ishin angazhuar për të siguruar që të gjithë trafiku të përpunojë pa vështirësi.

Më vonë, ndërsa shumë shërbime interneti filluan të riktheheshin në normalitet, kompania njoftoi se “kishte aplikuar një ndryshim i cili rivendosi shërbimet e panelit të kontrollit”.

Platforma X po shfaqte për disa përdorues një mesazh ku theksohej se kishte një problem me serverin e brendshëm, si rezultat i një “gabimi” që kishte buruar nga Cloudflare.

Edhe faqja e ChatGPT po shfaqte një mesazh gabimi që u kërkonte disa përdoruesve të “zhblokonin cloudflare.com për të vazhduar”.

Problemet me Cloudflare prekën gjithashtu media në Shqipëri, rajon dhe Europë.

Scroll to Top