Metamorfoza: Lita e Bistri lirohen, dënime për pesë të pandehur

“Metamorfoza” zbardhet në gjykatë, lirohen Xhevahir Lita dhe Oltion Bistri

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 18 nëntor, shpalli masat e dënimit për pesë nga shtatë të pandehurit në çështjen penale të njohur si “Metamorfoza”. Të pandehurit akuzohen për vrasje me porosi, krijim të grupit të strukturuar kriminal, korrupsion dhe armëmbajtje pa leje.

Për pesë të pandehurit – Behar Brajoviç, Edmond Preka, Astmer Bilali, ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Operacionale në Policinë e Shtetit, Oltion Bistri – gjykata caktoi në total 26.6 vite burgim, ndërkohë që SPAK kishte kërkuar 34 vite. Këto masa do të reduktohen me 1/3 falë gjykimit të shkurtuar.

Gjykimi për investitorin strategjik të qeverisë, biznesmenin Pëllumb Gjoka, dhe ish-funksionarin tjetër të policisë, Ardit Hasanabegaj, është veçuar nga trupi gjykues për shkak të zvarritjes së procesit.

Ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-kreu i Drejtorisë Operacionale, Oltion Bistri, përfituan lirimin e menjëhershëm, pasi dënimet e dhëna nga gjykata janë më të ulëta se koha e kaluar në paraburgim.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Elteva Deda dhe me anëtare Irena Gjokën dhe Flora Hajredinajn, e gjeti fajtor prokurorin Xhevahir Lita për veprën penale të korrupsionit në dy episode dhe zbulim të akteve sekrete. Lita u dënua me 5 vite heqje lirie, të cilat pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar u reduktuan në 3.4 vite burgim. Gjykata urdhëroi shuarjen e masës “arrest me burg” për shkak të shlyerjes së dënimit me kohën e vuajtur në paraburgim.

Ndryshe nga Lita, gjykata e shpalli të pafajshëm zotin Bistri për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ai u dënua me 3 vite burgim për veprën penale të zbulimit të akteve sekrete. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në 2 vite, duke sjellë lirimin e tij me argumentin se kishte vuajtur më shumë burg se masa e dënimit.

Prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Bledar Maksuti, kishin kërkuar 6 vite burgim për Lita dhe 9 vite burgim për Bistrin.

Një vit më parë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kishte liruar pesë pasuri të paluajtshme të sekuestruara në kuadër të hetimit pasuror ndaj zotit Bistri. Fillimisht, me kërkesë të prokurorisë, ishin sekuestruar 20 dyqane, 10 apartamente, një vilë dhe një garazh, me vlerë totale rreth 3 milionë euro, në pronësi të Oltian Bistrit dhe personave të lidhur me të.

Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, gjykata vendosi të martën dënimin përfundimtar për të pandehurin Behar Brajoviç me 8 vjet e 8 muaj burgim; për Edmond Prekën me 7 vjet heqje lirie; dhe për Astmer Bilalin u caktua masa përfundimtare 5 vjet e 8 muaj burgim. Të gjitha këto dënime janë më të buta se ato të kërkuara prej SPAK.

Scroll to Top