Balluku & Rama: Negociata Politike apo Thriller Kriminal?

Peng në kryeministri: Çfarë po negocion Belinda Balluku me Edi Ramën

Të mërkurën në parlament, Belinda Balluku, duke folur për herë të parë mbi procesin gjyqësor ku u paraqit si e pandehur, lëshoi një premtim që pasqyronte besnikërinë e saj të patundur ndaj Edi Ramës. Ajo u zotua se kurrë nuk do ta sulmonte drejtësinë e re, edhe kur ajo ta prekte personalisht.

„Nuk do të dëgjoni kurrë nga unë akuza, sharje apo kërcënime për drejtësinë e re, edhe kur prekem personalisht“, u shpreh Balluku, me të njëjtin përkushtim ndaj partisë si në kohën kur nuk ishte e pandehur.

Si një zyrtare karriera e së cilës është ndërtuar mbi bindjen se linja e partisë është gjithmonë rruga më e sigurt, ajo shtoi: „Kjo drejtësi e re, e dalë nga reforma, produkt i vullnetit të PS dhe Ramës, po kryen misionin për të cilin u reformua.“

„Nuk do të më dëgjoni kurrë të merrem me prokurorë e gjyqtarë, pasi secili prej tyre bën detyrën siç e gjykon“, tha ajo, duke shtuar se ajo dhe kolegët e saj të PS e mbështesnin reformën në drejtësi, „edhe kur prekim personalisht.“ Fjalimi e ndoqi pikë për pikë vijën e partisë. Asnjë devijim, asnjë lëvizje nga logjika, asnjë shenjë se interesi personal mund të dalë mbi interesin e partisë.

Pranë Ballukut në kuvend ishte ulur edhe kryeministri Edi Rama, i cili deri para pak kohësh kishte refuzuar ta shkarkonte nga detyra, por në asnjë rast nuk e kishte mbrojtur publikisht. Përkundrazi, në fjalën e tij në Kuvend, Rama u mburr se „sot Shqipëria për herë të parë në histori lufton me korrupsionin dhe heton pa dallim“ dhe se PS është „garantja ekskluzive“ e pavarësisë së drejtësisë.

Mbrëmjen pas parlamentit, Balluku vazhdoi si zakonisht punën e saj si ministre, duke ndarë njoftime për reshjet e shiut dhe nivelin e ujit në diga. Ajo dukej e qetë. Fundja, telashet me drejtësinë do t’i përballonte me mburojën që i jepte posti i numrit 2 të qeverisë.

Vetëm se pa kaluar as 24 orë, premtimi i saj për besnikëri ndaj partisë po tingëllonte i nxituar. Rrethanat ndryshuan me shpejtësi dhe pikërisht atëherë kur gjithçka dukej e qetë për Ballukun, situata u përmbys dhe u bë e paparashikuar. Mjaftoi firma e gjykatësit Erjon Çela, i cili mëngjesin e të enjtes, në seancën e masave të sigurisë, urdhëroi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, duke e ndaluar të udhëtojë jashtë Shqipërisë.

Si të mos mjaftonin këto, prokurorët e SPAK i shtuan një akuzë të re: shkeljen e barazisë në tenderin e lotit nr. 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Prova të tjera janë gjetur në celularin e Ervis Berberit, ish-vartësi i saj, i cili në bisedat e tij zbulon gjithë mekanizmin e kontrollit të tenderave, një mekanizëm që Prokuroria thotë se lidhet drejtpërdrejt me ministren.

Ajo që dje ndihej e paprekshme në parlament, e ulur pranë Edi Ramës dhe e gatshme të recitonte formulat propagandistike të partisë për drejtësinë e pavarur, sot e sheh veten pa pasaportë, pa pushtet ekzekutiv dhe gati për t’u shndërruar në kurbanin e radhës të Rilindjes.

Prova nuk mungon, por instikti e ka çuar drejt zyrës së Edi Ramës. Aty beson se e ka origjinën kjo kthesë e fortë në procesin gjyqësor, të cilën një ditë më parë nuk ia kishte marrë mendja.

Më herët është përfolur se Belinda Balluku e ka bërë të qartë se nuk do të bjerë e vetme në kthetrat e drejtësisë. Ndaj këtë të enjte është ngujuar bashkë me Edi Ramën në kryeministri. Takimi ka zgjatur shumë, më shumë se 4 orë dhe gjatë pasdites, dyshes Rama-Balluku i është bashkuar edhe kreu i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja.

Belinda Balluku, e njëjta që deri dje betohej se nuk do t’i kundërvihej drejtësisë dhe se do t’i qëndronte besnike partisë deri në vetësakrifikim, sot po kërkon ndërmjetësim politik, një marrëveshje pandëshkueshmërie nga Edi Rama. Për të mos shkuar në hapat e Erion Veliajt, i cili e besoi shefin deri në momentin e fundit para se t’i vinin prangat. Për të mos ndjekur as modelin e Arben Ahmetajt, që iku jashtë vendit duke lëshuar nga atje akuzat e tij për Ramën.

Pavarësisht të gjitha, çështja tashmë nuk është politike, as penale. Marrëdhëniet tashmë kanë marrë ngjyrat e një thrilleri kriminal dhe situata si këto gjykohen me rregullat e mafias.

Scroll to Top