Ukraina humb territor sa Luksemburgu sipas planit të SHBA

Rusia fiton territor sa Luksemburgu pa luftë

Çfarë humb Ukraina nëse pranon planin e SHBA-së?

Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) ka analizuar humbjet territoriale që Ukraina do të pësonte nëse pranonte planin amerikan të paqes. Sipas analizës së të dhënave të ofruara për AFP-në nga Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISW), Rusia do të mund të fitonte pa luftë një territor pothuajse sa sipërfaqja e Luksemburgut.

Plani, i cili ka rënë në duart e AFP-së, parashikon tërheqjen e ushtrisë ukrainase nga zona që ajo ende kontrollon, duke i sjellë Rusisë një përfitim neto prej rreth 2.300 kilometrash katrorë, pothuajse sa sipërfaqja e Luksemburgut (2.590 km²), pa qenë e nevojshme luftë.

Sipas planit:

  • Kievi do të duhej të hiqte dorë edhe nga gati 5.000 km² në rajonin e Donetskut, zonë që kontrollon aktualisht, për t’u përdorur si “zonë neutrale”.
  • Një tjetër zonë prej 45 km² në Luhansk do të duhej gjithashtu të lihej.
  • Këto humbje përfshijnë qytetet e mëdha Kramatorsk dhe Sloviansk.

Në këmbim, Moska do të kthente Ukrainës:

  • Rreth 2.000 km² territor në rajonin e Kharkivit, të cilin e pretendon ose e kontrollon pjesërisht.
  • 450 km² në Dnipropetrovsk.
  • 300 km² në Sumy.
  • 20 km² në Chernihiv.

Dokumenti parashikon gjithashtu njohjen de facto të kontrollit rus mbi Krimean, e aneksuar nga Moska në vitin 2014, si edhe mbi rajonet Donetsk e Luhansk. Ai i lë gjithashtu Rusisë territore të mëdha që ajo mban aktualisht në rajonet Kherson dhe Zaporizhia.

Në fund, plani i propozuar nga Uashingtoni do të zyrtarizonte dorëzimin nga Ukraina të rreth 20% të territorit të saj, ndërsa do të rifitonte më pak se 0,5%.

Që nga fillimi i nëntorit, ushtria ruse ka avancuar me rreth 400 km² në territorin ukrainas, me një ritëm më të shpejtë krahasuar me muajt shtator dhe tetor. Më 20 nëntor, Rusia kontrollonte plotësisht ose pjesërisht 19,3% të territorit ukrainas. Rreth 7%, që përfshin Krimenë dhe pjesë të Donbasit, ishte nën kontroll rus edhe para pushtimit të shkurtit 2022.

Scroll to Top