Kërkohej për vjedhjen e një makine, arrestohet 46-vjeçari në Lushnjë
Dy persona nga Lushnja kanë rënë në prangat e policisë. Xheni Xhumari, i njohur edhe si Shkëlzen Xhumari, 46 vjeç, është arrestuar pasi ishte në kërkim për vjedhjen e një automjeti në muajin maj. Ndërkohë, në kërkim është edhe bashkëpunëtori i tij, 31 vjeç.
“Si rezultat i kontrolleve dhe administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Fier dhe të Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit kanë arrestuar shtetasin Xh. Xh., alias Sh. Xh., 46 vjeç, banues në Karbunarë. Ai ishte shpallur në kërkim për veprën penale ‘Vjedhja me dhunë’, për të cilin Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin I. S., 31 vjeç, më datë 29.05.2025, i kanë vjedhur me dhunë automjetin një shtetasi 41 vjeç. Vijon puna për kapjen e 31-vjeçarit”, njoftoi sot policia.
Ndërkohë, Armand Pepa, 47 vjeç, ka rënë në pranga pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia ka gjetur një shkop metalik. 47-vjeçari rezulton të jetë dënuar më parë për vjedhje me armë.
“A. P., 47 vjeç, banues në Lushnjë, është arrestuar pasi gjatë kontrollit të automjetit iu gjet dhe sekuestrua një shkop metalik, në cilësinë e armës së ftohtë. 47-vjeçari rezulton i dënuar më parë për vjedhje me armë”, thuhet në njoftim.
Më tej, në gjendje të lirë do të hetohet edhe një 30-vjeçar, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij, iu gjet dhe sekuestrua një pistoletë sportive.
“Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Komisariatit të Policisë Lushnjë i kanë referuar materialet Prokurorisë, ku ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. G., 30 vjeç, banues në fshatin Shegas, pasi gjatë kontrollit të automjetit iu gjet dhe sekuestrua një pistoletë sportive”, informoi policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
