Shehaj zbulon: Si u anulluan 120 milionë euro për Bankers me firmën e Ballukut

Shehaj publikon dokumentin: Si u anulluan 120 milionë euro të kompanisë ‘Bankers’ me firmën e Ballukut

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka publikuar sot një dokument sipas të cilit, qeveria shqiptare, nëpërmjet ish-ministres Belinda Balluku, i ka anulluar kompanisë “Bankers Petroleum” detyrimin për të paguar 120 milionë euro.

Shehaj ka publikuar një shkresë të vitit 2019, ku ish-ministrja Balluku i drejtohet Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Doganave, duke kërkuar pezullimin e procedurave për përmbarimin e një gjobe prej 120 milionë euro ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”.

“Kjo është shkresa e vitit 2019, ku Belinda Balluku i drejtohet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, duke kërkuar pezullimin e veprimeve lidhur me përmbarimin e një shume prej 120 milionë euro,” deklaroi Agron Shehaj.

Ai shtoi se kjo gjobë dhe ky detyrim ka lindur në vitin 2016, pasi kompania “Bankers” mori një gjobë nga Doganat për evazion fiskal, për shkak të mospagesës së aksizës në import. “Pavarësisht përpjekjeve të Doganave për të arkëtuar këtë shumë, nuk u arrit kurrë marrja e këtyre parave, pasi politika, qeveria, nuk i ka lejuar. Derisa erdhi momenti që ministrja Balluku dërgoi zyrtarisht një shkresë ku u kërkonte: ‘mos veproni kundër Bankers’,” u shpreh Shehaj, teksa publikoi dokumentin.

Scroll to Top