Kritikat ndaj qeverisë Merz, Auron Dodi: Ekonomia dhe kostot shtesë të pagave në fokus të debatit
Në Gjermani, kritikat ndaj punës së qeverisë së Kancelarit Olaf Scholz janë ashpërsuar, veçanërisht gjatë debatit për buxhetin e zhvilluar së fundmi në Bundestag. Një pjesë e konsiderueshme e gjermanëve shprehin skeptikë për të ardhmen e qeverisë. Analisti Auron Dodi, në një intervistë për DW, theksoi se kritika kryesore ka të bëjë me premtimet e papërmbushura për reforma. Sipas tij, deklaratat se Gjermania do të transformohej dukshëm, madje deri në vjeshtë, nuk janë realizuar.
Në një lidhje online për News24, Auron Dodi u shpreh:
News24: Auron, përshëndetje. Pakënaqësia dhe kritikat ndaj punës së qeverisë Merz vazhdojnë. A është vërtet kaq e dobët puna e qeverisë?
Auron Dodi: Puna e qeverisë nuk është e dobët. Ekipi me Kancelarin Merz ka arritur gjëra të konsiderueshme në një kohë të shkurtër, brenda gjashtë muajsh nga marrja e pushtetit. Megjithatë, për ekonominë dhe shumë qytetarë, këto arritje nuk janë të mjaftueshme. Ekziston një perceptim se ato që janë shpallur si reforma të mëdha, në fakt përfundojnë në korrigjime të vogla, si pasojë e kompromiseve mes partive në qeveri. Mungon vrulli për reforma, ndërsa energjia shpenzohet për të kënaqur elektoratin e partive në pushtet. Dy të tretat e gjermanëve janë të pakënaqur me koalicionin qeverisës, një rritje prej 20 për qind që nga qershori. Në të njëjtën kohë, partia ultra e djathtë AfD ka shtuar mbështetjen dhe arrin rreth 25% në sondazhet kombëtare.
News24: Si erdhi deri te kjo situatë? Me Friedrich Merzin janë lidhur shumë shpresa, ai shihet si shansi i fundit për partitë e qendrës?
Auron Dodi: Po, është e vërtetë. Përballemi me një kombinim të nevojave akute të vendit dhe padurimit të qytetarëve. Lidhur me Kancelarin Friedrich Merz, një tregues pozitiv për të brenda Gjermanisë është se migrimi ka rënë, kanë rënë edhe çmimet e energjisë për sipërmarrjet dhe po bien taksat për to. Për sa i përket ndikimit ndërkombëtar, Merz ka demonstruar një besim të ri të Gjermanisë te vetja, duke ndikuar në formësimin më të mirë të reagimit të BE ndaj luftës në Ukrainë dhe tarifave tregtare të SHBA. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung kujtoi së fundi se ishte Merz ai që i dha fund diskutimit ndërkombëtar për shpenzimet ushtarake të Gjermanisë, duke parandaluar kështu erozionin e NATO-s.
News24: Në fakt, ishte Friedrich Merz ai që kapërceu qëndrimin e partisë së tij kundër rritjes së borxheve për investime, një hap i madh për CDU-në konservatore, nuk vlerësohet kjo?
Auron Dodi: E saktë. Merz kapërceu rezervat e partisë së tij ndaj borxheve publike. Sapo erdhi në pushtet, zhvilloi një plan shpenzimesh ekonomike të papara që nga ribashkimi i Gjermanisë. Së fundi, Fondi Monetar Ndërkombëtar e lavdëroi punën e tij pioniere për anashkalimin e kufizimeve kushtetuese mbi huamarrjen. Këto ndryshime tani lejojnë financimin e investimeve të mëdha në infrastrukturë dhe mbrojtje. Njëkohësisht, FMN u kujtoi shteteve të tjera të Bashkimit Evropian, të cilat marrjen e borxheve e kanë metodë të preferuar, se Gjermania është në gjendje t’i përballojë huatë e marra. FMN parashikoi se borxhi i Gjermanisë do të rritet në rreth 68% të PBB-së në vitin 2027, duke mbetur kështu niveli më i ulët midis ekonomive të G7-ës. Megjithatë, FMN shtoi se sfida kryesore tani është që këto fonde të investohen me mençuri dhe të mos përdoren për “dhurata elektorale afatshkurtra”.
News24: Për çfarë ndizet atëherë kritika në Gjermani?
Auron Dodi: Kritika në përgjithësi ka të bëjë me premtimet e papërmbushura për reforma. Nuk janë përmbushur as deklaratat se Gjermania do të bëhej një vend tjetër me reformat, së voni deri në vjeshtë. Presidenti i Shoqatës së Punëdhënësve Gjermanë, Rainer Dulger, tha se “ne i shohim përpjekjet, por deri tani nuk kemi parë asnjë ndryshim ekonomik”. Gazeta e përditshme “Die Welt” paralajmëroi për rrezikun e një “rruge franceze”, ku bëhen deklarata të forta, merret borxh i lartë publik, por nuk ndërmerren reforma të thella. Ky është një model që mund të çojë në “pamundësi qeverisjeje”, siç ka ndodhur në Francë, paralajmëroi gazeta konservatore “Die Welt”.
News24: Cilat janë debatet më të nxehta aktualisht në Gjermani? Cilat janë çështjet kryesore?
Auron Dodi: E para është ekonomia, e cila prej dy vitesh është në stanjacion. Ekonomistët kërkojnë më pak burokraci, duke argumentuar se një reduktim i qëndrueshëm i saj do ta bënte Gjermaninë më të shpejtë dhe më konkurruese. Nëse kushtet kuadër nuk përmirësohen, ekziston frika se kompanitë do ta zhvendosin gjithnjë e më shumë prodhimin jashtë Gjermanisë, duke e dobësuar më tej atë si qendër industriale. Një pikë tjetër kyçe janë kostot shtesë të pagave: kërkesa është që kontributet e sigurimeve shoqërore të reduktohen në 40% të pagave bruto. Rainer Dulger i tha gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung se pjesa e lartë e shtetit në ekonomi prej “49.5%” është shkak shqetësimi. Ai kujtoi se “sipas Helmut Kohl, socializmi fillon te 50%”, një kufi që Gjermania nuk duhet ta kapërcejë. Natyrisht, kjo shpjegohet edhe me modelin e ekonomisë sociale të tregut, të cilin Gjermania e përqafoi pas Luftës së Dytë Botërore dhe që ka sjellë kohezion të dukshëm social.
News24: Po temë tjetër debati?
Auron Dodi: Debat i madh bëhet edhe për pensionet. Zhvillimi demografik është problem për Gjermaninë, për shkak të plakjes së popullatës. Mosha mesatare është gati 45 vjeç (44.9). Dhe deri në vitin 2035, një në tre gjermanë do të dalin në pension. Kjo shtron çështjen e financimit të grupit të madh të pensionistëve. Marrëveshja për formimin e qeverisë aktuale me socialdemokratët ka fiksuar kuotën 48% të pensionit përballë pagës së fundit. Por, me gjithnjë e më shumë pensionistë, brezi i ri i takon të paguajë gjithnjë e më shumë. Për këtë u ngrit në protestë organizata e rinisë së CDU-së, e përfaqësuar me deputetë në Bundestag. 18 deputetët e saj kanë fuqi bllokuese, sepse qeveria Merz ka një shumicë prej vetëm 13 deputetësh në Bundestag.
News24: A është frenuese për fituesen e zgjedhjeve parlamentare, CDU/CSU-në, një qeverisje së bashku me socialdemokratët?
Auron Dodi: Çështja nuk është Partia Socialdemokrate (SPD) si parti e qendrës së majtë. Fërkim sjellin përmbajtjet që ajo ka zgjedhur të mbrojë për elektoratin e saj. SPD favorizon programe stimuluese ekonomike dhe është distancuar nga trashëgimia reformiste e Kancelarit Gerhard Schröder. Kjo konstelacion i bën të vështira ndryshimet e thella. Shembulli i “kompensimit për qytetarin”, që është ndihmë për të papunët dhe për njerëzit me të ardhura shumë të ulëta, ilustron konfliktet: Merz kërkoi një rishikim të kompensimit për qytetarin, për të nxitur kërkimin e punës nga përfituesit. SPD-ja u kundërvu ndryshimeve të thella. Kompromisi tani parashikon thjesht uljen e përfitimeve për ata që refuzojnë ofertat e punës. Dhe ekspertët thonë se kjo nuk mund të sjellë miliardat e kursimeve që u premtuan fillimisht nga CDU-ja.
News24: A mund të jetë një qeveri minoriteti zgjidhja, nëse reformat nuk mund të realizohen me SPD-në?
Auron Dodi: Shumë janë kundër një qeverie minoriteti, një qeverie ku CDU/CSU-ja të tolerohej nga partitë e tjera. Ekspertët e politikës dhe ekonomisë paralajmërojnë se një qeveri minoriteti pa SPD-në do të ishte vazhdimisht e varur nga vullneti i mirë i partisë ultra të djathtë AfD. Për më tepër, pa një shumicë parlamentare, qeveria nuk do të ishte në gjendje ta reformonte vendin. Pavarësisht të gjitha vështirësive, koalicioni aktual duket opsion i mirë. Disa ekonomistë shohin potencial për reforma tek socialdemokratët, por për këtë nevojitet punë më e madhe bindëse edhe nga sipërmarrësit.
