Adoleshentët shqiptarë “dembelë”: 75% bëjnë jetë sedentare
Shëndeti dhe stili i jetesës së adoleshentëve të sotëm janë thelbësorë për të vlerësuar cilësinë e kapitalit njerëzor në dekadën e ardhshme. Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) evidenton se fëmijët dhe adoleshentët shqiptarë konsumojnë më shumë fruta dhe perime sesa bashkëmoshatarët e tyre europianë. Megjithatë, ata pinë dukshëm më shumë pije me sheqer dhe janë shumë më pak aktivë fizikisht, në krahasim me vendet e tjera të Europës.
Përqindja e fëmijëve që nuk konsumojnë fruta apo perime çdo ditë është shumë më e ulët se mesatarja europiane, çka tregon se zakonet ushqimore të fëmijëve shqiptarë janë disi më të shëndetshme. Edhe sa i përket mbipeshës dhe obezitetit te fëmijët e moshës 6–9 vjeç, Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të ulët, rreth 20%, ndërkohë që mesatarja e rajonit të OBSH-së në Europë është afër 40%. Këto të dhëna sugjerojnë një situatë relativisht pozitive në raport me shumë vende të tjera europiane.
Nga ana tjetër, treguesi për aktivitetin fizik mbetet problematik. Rreth tre të katërtat e fëmijëve shqiptarë janë fizikisht joaktivë, një nivel i ngjashëm me mesataren europiane, por larg vendeve që performojnë më mirë në këtë drejtim. Konsumi i pijeve të gazuara është gjithashtu disi më i lartë se në vendet më të zhvilluara. Këto të dhëna tregojnë se, ndërsa ushqyerja është relativisht e mirë, mënyra e jetesës mbetet sedentare për një pjesë të konsiderueshme të fëmijëve.
Përdorimi i cigareve elektronike dhe atyre tradicionale tek adoleshentët shqiptarë është shumë i ulët, nën 10%, krahasuar me nivelet 20–40% në shumicën e vendeve të tjera europiane. Edhe konsumi i alkoolit është dukshëm më i kufizuar – shumë pak adoleshentë raportojnë se kanë konsumuar alkool, janë dehur ndonjëherë apo gjatë 30 ditëve të fundit. Në këta tregues, Shqipëria dallon pozitivisht, duke u renditur ndër vendet më të sigurta në aspektin e sjelljeve të rrezikshme për moshat e reja.
Vendi ynë renditet shumë mirë për sa u përket zakoneve të ushqyerjes, nivelit të mbipeshës dhe sidomos konsumit të duhanit e alkoolit tek adoleshentët, në krahasim me Europën. Megjithatë, mbetet një sfidë e dukshme mungesa e aktivitetit fizik dhe një prirje ende e lartë për konsum të pijeve të gazuara.
Financimi publik për shëndetin e fëmijëve dhe adoleshentëve mbetet i kufizuar në vendin tonë. Vetëm 9.2% e totalit të shpenzimeve publike i dedikohen shëndetësisë, krahasuar me rreth 15% në mesataren e Bashkimit Europian.
