Joseph: Si modeli i Kosovës mund të përdoret për paqen në Ukrainë
Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, propozon një qasje strategjike për të arritur paqe në Ukrainë, duke u bazuar në modelin e Kosovës.
Në një prononcim për R, Joseph shpjegon se zbatimi i parimeve të Rezolutës 1244 në Donbas – administrimi ndërkombëtar, vendosja e trupave paqeruajtëse dhe shtyrja e çështjes së sovranitetit për më vonë – mund t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie pa pasur nevojë të pranojë aneksimin rus të rajonit.
Joseph vlerëson gjithashtu përpjekjet e administratës Trump, duke theksuar se ajo ka vënë në qendër arritjen e paqes në Ukrainë dhe ka sjellë dinamikë të re në procesin e negociatave.
“Gjëja më e rëndësishme dhe më interesante e përdorimit të modelit të Kosovës në Donbas – pra në Ukrainë – për të arritur një armëpushim, është se presidenti rus Vladimir Putin e mbështet atë. Kjo është pika fillestare, por jo e vetmja. Putin, për më shumë se dy dekada, ka insistuar se duhet të respektohet Rezoluta 1244. [Me këtë rezolutë të vitit 1999 është urdhëruar tërheqja e trupave të Republikës Federale të Jugosllavisë nga Kosova dhe vendosja e Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara]. Putin, gjithashtu, ka përsëritur vazhdimisht se Kosova dhe Ukraina janë e njëjta gjë. Ideja e përdorimit të një modeli është krejtësisht e përshtatshme.
Administrata amerikane po merr elemente nga plani për Gazën. Por, unë mendoj se modeli i Kosovës është shumë më relevant se ai i Gazës. Modelin e Kosovës edhe vetë Putin e di shumë mirë,” thotë Joseph.
I pyetur për ata që argumentojnë se Kosova ka qenë një rast unik, me një konsensus të fortë ndërkombëtar, ndryshe nga Ukraina, ai jep këtë përgjigje:
“Rezoluta 1244 e nxori çështjen e sovranitetit jashtë diskutimit, pa e mohuar apo shpallur pavarësinë e Kosovës, por duke i dhënë fund konfliktit dhe duke i hapur rrugë administrimit ndërkombëtar dhe pranisë së trupave paqeruajtëse në Kosovë. I njëjti parim do të zbatohej edhe në Donbas dhe debati se ‘kujt i përket’ ai do të shtyhej për më vonë – me një referendum të ardhshëm për ta zgjidhur. Putin i mbështet referendumet – ai i ka organizuar ato edhe në Krime, edhe në pjesët e Donbasit që Rusia i kontrollon. Pra, atij do t’i servireshin dy gjëra që s’i kundërshton: modeli i 1244-shit dhe referendumi.
Me këtë model, do të mund ‘të fitonte’ edhe më shumë territor, sipas mendimit tim – madje edhe më shumë sesa ofron plani i presidentit amerikan, Donald Trump. Do të mund të fitonte edhe zonat e Donbasit perëndimor, që për Ukrainën janë më të ndjeshmet, sepse me kontrollin e tyre, Rusia do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë vendin dhe, madje, do të mund të hapte një tjetër rrugë drejt Kievit. Por, atij do t’i duhej të pranonte edhe një kusht – ngjashëm siç ka bërë Kosova. Do të duhej të pranonte administrimin [e Donbasit] nga një palë e tretë – qoftë nga OKB-ja, qoftë nga OSBE-ja. Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe ndoshta i pëlqen administrimi i OKB-së, pasi vazhdimisht insiston që UNMIK-u duhet të mbetet në Kosovë,” thotë Joseph.
Por a do ta pranonte Ukraina një plan të tillë?
“Për Ukrainën do të ishte një qasje e favorshme. Arsyeja e parë: Kievi nuk do të duhej ta njihte aneksimin rus të Donbasit. Pastaj, statusi i Krimesë mund të lihej për negociata të mëvonshme, meqë shanset për ta rikthyer ushtarakisht janë minimale. Arsyeja e dytë, dhe më e rëndësishmja për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, janë garancitë e sigurisë. Modeli i Kosovës do të sillte administrim ndërkombëtar nga OKB-ja ose OSBE-ja, që do ta ndalte menjëherë rusifikimin – detyrimin për pasaporta ruse, indoktrinimin ushtarak të fëmijëve dhe pengesat për të zhvendosurit që duan të kthehen në shtëpitë e tyre. Nën këtë administrim do të krijoheshin edhe komisione ndërkombëtare për pronat. Ashtu si në Kosovë, në Donbas do të vendoseshin trupat paqeruajtëse dhe për t’i bërë më të pranueshme për Rusinë, këto trupa do të mund të vinin nga Afrika ose Azia, jo domosdoshmërisht nga Evropa. Pra, thelbi i gjithë kësaj është se, kur çështja e sovranitetit lihet përkohësisht anash, çdo element tjetër bëhet shumë më i lehtë për t’u negociuar,” shprehet eksperti.
