Pastrimi i parave: Rriten rastet për hetim në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025
Numri i rasteve të referuara për veprën penale “Pastrimi i parave” ka arritur në 311 raste për muajt janar-gusht 2025. Ky është niveli më i lartë në pesë vitet e fundit, duke shënuar një rritje prej 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, vlera e parave të sekuestruara ka pësuar një rënie të ndjeshme. Për periudhën janar-gusht 2025, janë sekuestruar 9,4 milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar vlera e sekuestruar ishte 53,9 milionë euro, duke shënuar një ulje prej rreth 82%.
Të dhënat janë bërë publike në raportet statistikore mujore të Ministrisë së Brendshme. Sipas tyre, për muajt janar-gusht 2025, vepra penale “Pastrimi i parave (N.287)” u shënua me 311 raste të referuara nga institucionet.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, numri i rasteve të referuara është rritur me 38 vepra, ose rreth 14% më shumë. Ky është numri më i lartë i rasteve të referuara për hetim nga institucionet në pesë vitet e fundit.
Edhe pse ka pasur një rritje të numrit të rasteve të referuara, të dhënat e Ministrisë së Brendshme tregojnë se vlera e parave të sekuestruara për këtë vepër penale është ulur ndjeshëm. Për periudhën janar-gusht 2025, vlerat e sekuestruara arrijnë në 9,4 milionë euro, krahasuar me 53,9 milionë euro të sekuestruara në periudhën janar-gusht 2024. Ky paraqet një ulje prej rreth 82%.
Për periudhën janar-gusht të viteve 2021-2025, sekuestrimet më të larta për veprat penale të kategorisë “Pastrimi i Parave (N.287)” janë shënuar në muajin qershor 2024, me një vlerë prej 52,700,000 euro. Ndërkohë, numri më i lartë i rasteve të referuara për 8-mujorin në këto 5 vite është shënuar në muajin qershor 2025, me 56 raste.
Sipas raportit vjetor të Ministrisë së Brendshme, gjatë vitit 2024, vlera e aseteve të sekuestruara për veprën penale të pastrimit të parave ka qenë 27,636,788 euro. Vlera e aseteve të konfiskuara sipas ligjit antimafia ka qenë 4,093,091 euro, përfshirë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
Vepra penale “Pastrimi i parave (N.287)”
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (N.287) përfshin veprime të tilla si:
- a) Këmbimi ose transferimi i pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.
- b) Fshehja ose mbulimi i natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.
- c) Fitimi i pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.
- ç) Kryerja e veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave.
- d) Investimi në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
