SPAK mohon përgjimin ndaj KLP: Spekulim i pabazuar

SPAK mohon akuzat për përgjim ndaj anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar pas disa akuzave sipas të cilave ajo po përgjon anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Në një deklaratë për mediat, SPAK ka mohuar kategorikisht kryerjen e çdo veprimi, vëzhgimi apo përgjimi ndaj ndonjërit prej anëtarëve të KLP-së.

Në përgjigje të kërkesave të shumta, SPAK ka sqaruar:

  • Asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga Prokuroria e Posaçme.
  • SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejt apo tërthorazi të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore.

Sipas SPAK, deklarimet e bëra në media përbëjnë spekulim të pastër, të pambështetur në realitetin ligjor apo në praktikën hetimore të Prokurorisë së Posaçme. Çdo deklaratë e pabazuar në fakte dhe e mbështetur në spekulime mbetet në kuadrin e retorikës së pakonfirmuar, në përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të dëmtuar Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ky debat zhvillohet në prag të datës 11 dhjetor, kur para KLP-së do të paraqiten 4 kandidatët për drejtuesin e ri të SPAK-ut, të cilët do të prezantojnë platformat e tyre dhe do t’i nënshtrohen intervistimit.

Scroll to Top