Bashkia e Himarës shpall tender rreth 5.5 milionë euro për sistemin e kanalizimeve në Borsh
Bashkia e Himarës ka nisur një procedurë tenderimi me fond limit 500 milionë lekë pa TVSH, ekuivalent prej rreth 5.5 milionë eurosh, për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve në Borsh. Ky investim gjithëpërfshirës përfshin rrjetin e ujërave të ndotura, stacionet e pompimit dhe impiantin e trajtimit të tyre.
Procedura me objekt “Ndërtimi i KUZ Borsh” do të financohet nga buxheti i Bashkisë Himarë dhe do të realizohet në tre vite. Fondet e alokuara janë si më poshtë:
- Viti 2026: 41.7 milionë lekë
- Viti 2027: rreth 250 milionë lekë
- Viti 2028: rreth 208.3 milionë lekë
Investimi synon të krijojë një sistem të integruar për grumbullimin, transportin dhe trajtimin efikas të ujërave të ndotura në zonën e Borshit. Aktualisht, siç theksohet në detyrën e projektimit të miratuar nga Bashkia, Borshi nuk disponon një rrjet publik të plotë dhe funksional të kanalizimeve. Menaxhimi ekzistues bazohet kryesisht në zgjidhje individuale dhe shkarkime të pakontrolluara.
Dokumenti thekson rëndësinë e dimensionimit të projektit në lidhje me karakterin turistik të zonës. Projektuesit i kërkohet të përcaktojë popullsinë ekuivalente që sistemi duhet të mbulojë, duke marrë parasysh ngarkesën sezonale turistike dhe zhvillimin e pritshëm të zonës. Si informacion orientues, është përmendur një kapacitet prej rreth 6,000 banorësh ekuivalentë, por kapaciteti përfundimtar do të përcaktohet gjatë fazës së projektimit.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është reduktimi i shkarkimeve të pakontrolluara dhe mbrojtja e Detit Jon, vijës bregdetare, tokës dhe ujërave nëntokësore.
Projekti duhet të përfshijë detaje mbi teknologjinë e trajtimit të ujërave, menaxhimin e llumit dhe aromave, si dhe përcaktimin e pikës së shkarkimit të ujërave të trajtuara. Bashkia kërkon gjithashtu analizimin e alternativave për shtrirjen e rrjetit, numrin e stacioneve të pompimit dhe vendndodhjen e impiantit, duke marrë në konsideratë kostot e investimit, operimit dhe mirëmbajtjes.
Afati për realizimin e investimit është 20 muaj kalendarikë, ndërsa katër muaj janë planifikuar për përgatitjen e projekt-zbatimit. Afati i fundit për dorëzimin dhe hapjen e ofertave është parashikuar për datën 1 tetor 2026.
