Ukraina ndërmerr sulme të reja në Rusi: Zjarr në rafineri nafte dhe shkatërrim në aeroport ushtarak
Një seri sulmesh me dronë janë raportuar gjatë natës në disa zona të Rusisë, me incidente të regjistruara në rajonet Rostov dhe Yaroslavl. Sipas raportimeve të publikuara nga burime ukrainase dhe kanale ruse në Telegram, objektivi i sulmeve dyshohet se kanë qenë një aeroport ushtarak dhe një impiant i industrisë së naftës.
Në rajonin e Rostovit, pamje të publikuara nga kanali ukrainas i monitorimit Exilenova+ pretendojnë të tregojnë shpërthime pranë një objekti ushtarak. Një tjetër video e shpërndarë në internet shfaq një shpërthim në zonë, por autenticiteti dhe vendndodhja e saktë e pamjeve nuk janë konfirmuar.
Guvernatori i Rostovit, Yuri Slyusar, deklaroi se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kishin neutralizuar dronë mbi distriktet Millerovsky dhe Kamensky. Sipas tij, nga incidentet nuk pati viktima dhe autoritetet nuk kishin evidentuar dëme në ndërtesa apo infrastrukturë.
Rostovi është një nga rajonet ruse ku ndodhen objekte të rëndësishme të aviacionit ushtarak. Zona e Millerovos është goditur edhe më parë gjatë luftës, ndërsa Ukraina ka pretenduar në raste të mëparshme se ka dëmtuar pajisje dhe infrastrukturë ushtarake atje.
