“`html
“Mrekullia” e eksporteve zgjat vetëm një muaj, fasoni në rënie të pandalshme, zbret në grupin e dytë
Pas një rritjeje prej 10.6% në korrik, e cila u interpretua nga institucionet si një zhvillim pozitiv që tregonte diversifikimin e eksporteve nga sektorët tradicionalë drejt atyre me vlerë të shtuar, muaji gusht ka zbehur këtë eufori. Kjo rritje e korrikut ishte në fakt e lidhur me faktorë rastësorë, si konjuktura e favorshme e çmimeve në bursat e huaja dhe grumbullimi i dërgesave të disa muajve nga eksportuesit e lëndëve të para natyrore të vendit.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në gusht, eksportet u rritën vetëm me 1.6%, e ndikuar nga performanca e dobët e sektorit të tekstileve dhe këpucëve, si dhe rritja më e ngadaltë e materialeve të ndërtimit, metaleve dhe mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, të cilat kishin dhënë një efekt të fortë në korrik.
Kjo është performanca më e dobët që nga fillimi i vitit, ku në janar dhe shkurt eksportet nisën me rënie të lehtë, për tu rikuperuar më pas. Grupi i “Tekstile dhe këpucë”, që është punëdhënësi më i madh në industri me rreth 50 mijë persona, ka zbritur në vend të dytë, i ndikuar nga rënia e pandalshme e aktivitetit. Në gusht, grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji”, një sektor që varet nga ecuria e çmimeve, u bë grupi më i madh eksportues në vend.
Sipas INSTAT, në gusht 2026 eksportet e mallrave arritën vlerën 20.5 miliardë lekë, duke u rritur me 1.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe duke u ulur me 39.0% krahasuar me korrik 2026. Gjatë muajit gusht 2026, në rritjen e eksporteve prej 1.6% kontribuan pozitivisht grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” dhe “Ushqime, pije, duhan” me nga +1.3 pikë përqindje, dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +0.7 pikë përqindje. Ndërkohë, negativisht ndikuan grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -2.9 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -0.6 pikë përqindje.
Për 8-mujorin, tendenca vijoi të ishte pozitive. Sipas INSTAT, për periudhën janar-gusht 2026, eksportet ishin 248 miliardë lekë, me një rritje prej 6.3% me bazë vjetore (nga 6.7% që ishte zgjerimi për 7-mujorin). Edhe për 8-mujorin, ndikimin kryesor pozitiv e dhanë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia, materialet e ndërtimit, makineritë dhe pjesët e këmbimit, ndërsa efekti më negativ ishte nga tekstilet dhe këpucët.
Fasoni vijon me rënie të fortë
Eksportet nga industria e veshjeve dhe këpucëve kanë shënuar muaj radhazi me rënie. Në gusht, rënia ishte -12.4%, pas tkurrjes me mbi 13% në korrik. Për gjithë 8-mujorin, eksportet ishin 64 miliardë lekë, me një tkurrje prej 8%, duke qenë grupi i vetëm i madh me tendencë negative.
Si rrjedhojë e tkurrjes së vazhdueshme, tekstilet dhe këpucët kanë kaluar në gusht në grupin e dytë më të madh në vend, duke zënë 25.8% të totalit, nga 30% që kryesonin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Florjan Zekja, Kryetar i Shoqatës së Manifakturës, thekson se për të kuptuar përmasat e rënies së sektorit dhe perspektivën gjithnjë e më shqetësuese të tij, mjafton të përmenden disa fakte domethënëse:
- Për herë të parë në historinë e eksporteve shqiptare, grupi i tekstileve dhe këpucëve nuk renditet më në vend të parë.
- Një sektor që për dekada ka qenë motori kryesor i eksporteve, punësimit dhe zhvillimit ekonomik në shumë zona të vendit, po humbet me shpejtësi peshën dhe konkurrueshmërinë e tij.
- Numri i të punësuarve ka rënë nga rreth 65 mijë në vetëm 40 mijë, duke nënkuptuar humbjen e afërsisht 25 mijë vendeve pune kryesisht për gra dhe vajza, por edhe për familje që kanë pasur industrinë prodhuese si burimin kryesor të të ardhurave.
- Rënia e eksporteve është po aq shqetësuese: nga rreth 1.4 miliardë euro në vitin 2022, në vetëm 960 milionë euro në vitin 2025.
- Sektori ka humbur rreth 440 milionë euro eksporte në vetëm tre vjet, duke dëmtuar jo vetëm kompanitë prodhuese, por edhe ekonominë kombëtare dhe bilancin tregtar të vendit.
Zekja shton se një nga shkaqet kryesore të rënies është zhvlerësimi i fortë i euros, nga rreth 119 lekë në vitin 2022 në afro 91 lekë në vitin 2026. Për kompanitë eksportuese, të cilat arkëtojnë në euro, ndërsa pjesën më të madhe të kostove e paguajnë në lekë, kjo ka sjellë një goditje të drejtpërdrejtë në të ardhura, fitime dhe aftësinë për të ruajtur vendet e punës.
Ai thekson se kësaj situate i shtohen rritja e kostove të prodhimit, mungesa e fuqisë punëtore, konkurrenca nga vendet e rajonit dhe mbi të gjitha mungesa e vëmendjes dhe e politikave konkrete mbështetëse nga qeveria. Ndërsa vendet e tjera subvencionojnë prodhimin, investimet dhe punësimin, bizneset shqiptare vazhdojnë ta përballojnë vetë krizën.
Zekja paralajmëron se nëse nuk merren masa të shpejta dhe konkrete, e ardhmja e sektorit do të bëhet gjithnjë e më problematike. Ai paralajmëron rrezikun e mbylljes së kompanive të tjera, humbjen e mijëra vendeve të punës dhe largimin përfundimtar të kontratave e markave të huaja nga Shqipëria. Ai përfundon duke theksuar se mbrojtja dhe transformimi i sektorit prodhues nuk janë më vetëm një kërkesë e biznesit, por një domosdoshmëri ekonomike dhe sociale për vendin.
Ngadalësohet dhe energjia e lëndët djegëse
Ndërsa fasoni është ndikuar negativisht nga situata ekonomike, e kundërta ka ndodhur me eksportet e lëndëve djegëse, të cilat u favorizuan nga rritja e çmimeve në bursa. Megjithatë, gushti ka qenë më i qetë. Grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji” ka eksportuar 5.2 miliardë lekë në gusht 2026, me një rritje prej 2.7% me bazë vjetore, pas zgjerimit me 32% në korrik. Grupi kaloi në vend të parë në korrik, duke zënë 25% të totalit. Për 8-mujorin, ky grup ka eksportuar 54.4 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 21%. Për 8-mujorin, ky grup ka vijuar të jetë i dyti më i madh në vend, duke zënë rreth 22% të totalit.
Ushqime, pije e duhan me rritje
“Ushqime, pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit dhe një nga dy sektorët që ka shënuar rritje në 2026-n, është përmirësuar në gusht, duke u rritur me 8%. Për tetë mujorin, grupi është zgjeruar me 3.4%. Ky grup ka kaluar në vendin e tretë më të madh në vend, duke zënë 15.8% të totalit.
Zbehet lulëzimi i materialeve të ndërtimit e metaleve
Gjatë muajit korrik, grupi i “Materialet e ndërtimit dhe metalet” shënoi një rritje të fortë me mbi 70%, duke qenë faktori kryesor që ndikoi në zgjerimin me mbi 10% të eksporteve. Arsyeja kryesore u lidh me faktin se eksportuesi i kromit Albchrome, që hyn në këtë grup, kishte nisur një ngarkesë me prodhimin e disa muajve drejt SHBA-ve. Në gusht, ky grup u ngadalësua, duke u rritur me 10.4%. Për 8-mujorin, eksportet u rritën 21.4%, duke mbetur grupi me ndikimin më pozitiv në ecurinë e eksporteve për 8-mujorin, së bashku me mineralet, lëndët djegëse e energjinë.
Ngec industria mbështetëse automotive në gusht
“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishte grupi me ecurinë më pozitive në gjashtë-shtatë-mujorin, me një zgjerim prej 13.5%. Megjithatë, në gusht u shfaqën shenja ngadalësimi, me shitjet e këtij sektori jashtë vendit që u rritën me vetëm 0.1%. Për 8-mujorin, grupi është rritur me 12%. Ky grup, ku peshën kryesore e mban industria automotive, është rimëkëmbur që në fund të vitit të kaluar, kur kompanitë raportuan rritje të porosive. Një pjesë e kompanive prodhojnë pjesë të thjeshta për makineri pune dhe mjete të mëdha transporti, një segment që ka qenë në ecuri të qëndrueshme. Ndërkohë, vendimi i KE për të lënë mjetet me djegie të brendshme përtej vitit 2035 në formë hibride, ndryshoi panoramën edhe për këtë vit, ku porositë pritet të jenë në rritje.
Presionet kryesore që kjo industri e vendosur në vendin tonë po kalon lidhen me fuqinë punëtore, zhvlerësimin e vazhdueshëm të euros (pasi kontratat e tyre janë fikse disavjeçare) dhe së treti rritja e beftë e pagës minimale në 50 mijë lekë.
Rritet deficiti tregtar
Në Gusht 2026, eksportet e mallrave arritën vlerën 20.5 miliardë lekë, duke u rritur me 1.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe duke u ulur me 39.0% krahasuar me Korrik 2026. Importet e mallrave arritën vlerën 75.6 miliardë lekë, duke u rritur me 12.6% krahasuar me një vit më parë dhe duke u ulur me 12.6% krahasuar me Korrik 2026.
Defiçiti tregtar i këtij muaji është 55.0 miliardë lekë, duke u rritur me 17.4% krahasuar me një vit më parë dhe me 4.3% krahasuar me Korrik 2026.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Në muajin Gusht 2026, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, krahasuar me Gusht 2025, janë: Italia (5.0%), Kosova (1.5%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rënien më të madhe, janë: Turqia (54.1%), Maqedonia e Veriut (5.6%), etj.
Në muajin Gusht 2026, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve, krahasuar me Gusht 2025, janë: Italia (2.2%), Kina (16.9%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rënien më të madhe, janë: Greqia (3.4%), Gjermania (3.6%), etj.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 46.2% të gjithë tregtisë. Në Gusht 2026, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 63.1% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 41.6% të importeve gjithsej.
Burimi: INSTAT
“`
