Rriten tensionet: Zelensky paralajmëron për sulme të reja ruse ndaj infrastrukturës civile
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, akuzoi sërish Moskën të shtunën për sulme ndaj infrastrukturës civile ukrainase, pasi më shumë se 650 dronë dhe 51 raketa kanë shkaktuar dëme materiale dhe humbje jetësh gjatë natës.
“Objektivi kryesor i këtyre sulmeve ishin objektet e energjisë”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale. “Synimi i Rusisë është të dërmojë miliona ukrainas, duke u ulur në nivele aq të ulëta, duke nisur sulme raketore ndaj qyteteve paqësore në Ditën e Shën Nikollës”, shtoi ai, duke iu referuar datës 6 dhjetor, fillimit të periudhës së Krishtlindjeve, që simbolizon edhe Ditën e Ushtrisë së Ukrainës.
Zelensky përsëriti thirrjen për më shumë presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës së nisur në shkurt 2022.
“Ndërtesa kryesore e stacionit hekurudhor në qytezën Fastiv pranë Kievit është djegur plotësisht. Sulmi ka qenë pa asnjë kuptim nga aspekti ushtarak”, theksoi presidenti ukrainas.
Sipas tij, edhe rajonet e Dnjipros, Zaporizhjas, Odesas, Lvivit dhe Mikollaivit janë prekur nga sulmet.
Si pasojë e këtyre sulmeve, Komanda Qendrore e ushtrisë së Polonisë ka aktivizuar sistemet e saj mbrojtëse.
Ministri i Brendshëm ukrainas, Ihor Klymenko, raportoi në Telegram se janë shënuar të paktën tetë viktima në Ukrainë: tri në rajonet e Kievit dhe Dnjipropetrovskut dhe dy në rajonin e Lvivit.
Shumica e territorit të Ukrainës po përballet me probleme me furnizimin me energji elektrike për shkak të sulmeve.
