Berisha: Rama diktoi Kushtetuesen, PD nis protesta masive

Rikthimi i Ballukut në detyrë, Berisha: Vendimin e Kushtetueses e diktoi Rama

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar heqjen e pezullimit nga detyra për zv.kryeministren Belinda Balluku. Gjatë një takimi me demokratët e Elbasanit, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka diktuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas kreut të PD-së, ky veprim tregon se Rama po përpiqet të kontrollojë institucionet, duke përmendur si shembull zgjedhjen e kryetarit të SPAK-ut.

“Sot i hoqi masën e pezullimit. Shkon nesër në zyrë si zv.kryeministër. E mori Ramën për fyti. Në Ankara e mori Rama Lubinë, kur bën pazarin e tunelit të Llogarasë. Diktoi çdo gjë sot Rama diktoi gjykatën dhe hoqi masën e pezullimit,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se demokratët do të fillojnë së shpejti protestat masive. Kryesia e partisë do të mblidhet nesër për të vendosur nisjen e këtyre protestave.

“Ne do ngrihemi dhe nuk do rendim gjer në largimin e tij. Ata që janë gati, me ata do ngrihemi. 3000 shqiptarë janë gati që nesër. Do shtohemi. Nuk rrihet më. E liroi. Për të zgjedhë kryetari i SPAK, duhet të shkojë gjithë bota aty se e rrëmben Edi Rama. A ecet kështu? Kemi punë me Edi Ramën. Është në gjak për votën tonë. O do votojmë të lirë ose do shuhemi. Nuk mund të rrijmë në funksion të një farse. Janë diktaturat që do përfundojnë atje ku e kanë vendin. Ndaj dhe nesër në drekë mblidhet Kryesia e PD-së. Vendosë me urgjencë për fillimin e revoltave që nuk ndalen më kurrë gjer në largimin e Edi Ramës.”

Berisha rikonfirmoi angazhimin për protesta të vazhdueshme deri në rrëzimin e qeverisë, duke e cilësuar sheshin para kryeministrisë si “sheshin tonë, sheshin e fitores.”

Scroll to Top