**Qiratë e papërballueshme po “përzënë” familjet e reja nga Tirana**
Në fillim të muajit korrik, çmimi mesatar i apartamenteve me qira në kryeqytet arriti 721 euro në muaj. Kjo shifër, e llogaritur mbi të dhënat e agjencisë imobilare CPM, tregon se një individ me pagë mesatare mujore bruto (sipas INSTAT për tremujorin e parë 2026) duhet të shpenzojë rreth 77% të ardhurave të tij bruto ose 97% të ardhurave neto vetëm për strehim. Marrë parasysh edhe shpenzimet e tjera për ushqim, transport, energji dhe nevojat bazë, përballimi i qirasë në Tiranë po bëhet një sfidë e vështirë për shumë familje shqiptare të shtresës së mesme.
Kjo situatë po krijon një tendencë të re, sidomos mes familjeve të reja, të cilat po zgjedhin të jetojnë në qytete pranë kryeqytetit, duke vazhduar punën në Tiranë. Një analizë e “Monitor” me disa prej tyre, kryesisht anëtarë të familjeve të reja, konfirmon largimin nga Tirana për shkak të çmimeve të larta të qirave.
Kjo tendencë konfirmohet edhe nga ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme. Stela Dhami, menaxhere ekzekutive pranë “Colliers International Albania”, thekson se familjet e reja po zgjedhin veçanërisht qytete si Elbasani dhe Durrësi si alternativë banimi. Arsyeja kryesore, sipas saj, është pamundësia për të përballuar qiratë gjithnjë e më të larta në Tiranë. Fenomeni prek kryesisht familjet e shtresës së mesme, të cilat përballen jo vetëm me rritjen e qirasë, por edhe me kostot e shkollave, kopshteve dhe shpenzimeve të tjera të jetesës.
“Tregu i qirave në Elbasan ofron ende apartamente me çmime dukshëm më të ulëta se në Tiranë, duke e bërë qytetin një zgjedhje tërheqëse për ata që punojnë në kryeqytet, por nuk arrijnë të përballojnë kostot e banimit,” shprehet Dhami. Ajo shton se çmimet e qirave në Elbasan mund të jenë rreth 30–40% më të ulëta se në Tiranë, ndërsa Durrësi, për shkak të turizmit dhe kërkesës së lartë, ka çmime më të larta se Elbasani.
Sipas ekspertes, kostoja e banimit është faktori kryesor që po ndryshon zgjedhjet e banimit për një pjesë të qytetarëve që punojnë në kryeqytet. “Mendoj se po të kishte transport publik të mjaftueshëm dhe me kosto normale, do të kishte edhe më tepër individë që do të zgjidhnin të jetonin në këto qytete, sepse janë shumë afër Tiranës,” vë në dukje Dhami. Ajo e cilëson këtë si një fenomen global, ku për shkak të çmimeve të larta dhe mospërballueshmërisë së kostos së jetesës, individët shpesh jetojnë në rrethinat e afërta të metropoleve.
Megjithëse udhëtimi i përditshëm drejt Tiranës dhe trafiku mbeten sfida, shumë familje po e konsiderojnë këtë një kompromis të pranueshëm në këmbim të kursimit që u sjell qiraja më e ulët.
