“`html
Kamionët me kanabis për votat e PS/ Pse Rama ishte me Rrajat para zgjedhjeve
Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, rezulton të ketë qenë drejtuesi i njërit prej grupeve të goditura për trafik ndërkombëtar droge, sipas dosjes së SPAK, bazuar në komunikimet e SKY ECC. Dosja, pjesë të së cilës qarkullojnë në media, ngre akuza për tre grupe kriminale, që kishin trafikuar 2.4 tonë marijuanë dhe kokainë drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Në krye të njërit prej tyre qëndronte djali i deputetit të PS, Rexhep Rraja, i cili ishte porositësi dhe organizatori i trafikimit të 236 kg marijuanë në Kapikule të Turqisë më datë 26 janar 2021. Rexhep Rraja, 24 vjeç, akuzohet gjithashtu për përndjekje ndaj Xhisiela Malokut.
SPAK ka zbardhur të gjitha bisedat mes anëtarëve të grupit, përplasjet mes tyre pas sekuestrimit të drogës në doganë, deri tek dyshimet për tradhtarë mes radhëve të tyre. Anëtarë të grupit ishin edhe dy pjesëtarë të tjerë të fisit Rraja, Përparim Rraja dhe Gazmir Rraja. Ndërkohë, anëtarë të tjerë ishin Bujar Sefa (alias Xaka), Agim Nina (alias Lorenc Selmani), Jani Çavo, Aldo Gjini (alias Iamandi), Sokol Qaja, Marvin Bushati dhe Elton Bogdani, ky i fundit shoferi që ka transportuar lëndën narkotike me kamion.
Përgjimet zbulojnë trafikun e drogës në vitet 2020 dhe 2021, kohë kur Partia Socialiste përgatitej të hynte në zgjedhjet e prillit 2021 për të fituar mandatin e tretë. Kryeministri kandidoi vetë në Vlorë dhe në Durrës. Në ato zgjedhje, Rama mori personalisht 10,066 vota, ndërsa pas tij, dalloi kandidati i Krujës, Rrahman Rraja, babai i Rexhepit.
Rrahman Rraja, deputeti që bënte vota pa bërë politikë
Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 në Qarkun Durrës, Rrahman Rraja rezultoi i dyti më i votuari në listën e Partisë Socialiste me 7,475 vota. Rrahman Rraja nuk ishte një deputet tipik. I heshtur në parlament dhe po aq i heshtur në fushatë, ai nuk dallohej për mitingje të bujshme dhe as për dalje publike të shpeshta. Por pavarësisht profilit të ulët që mbajti, gjithnjë siguronte vota, më shumë se çdo kandidat tjetër socialist në qark, përjashto kryeministrin.
Për dikë që merret me politikë kjo është anomali. Për atë që njeh terrenin është e qartë se Rrahman Rraja nuk kishte nevojë për shumë oratorikë. Pas tij qëndronte një familje me ndikim në zonën e Niklës, mes tyre, emra të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në grupe kriminale.
Në një nga prononcimet publike, kur mediat e lidhnin me një personazh kriminal me mbiemrin Rraja, deputeti socialist deklaronte se në Nikël ishin rreth 170 vetë që kishin mbiemrin e tij dhe ai nuk mund të mbante përgjegjësi për secilin prej tyre. Por përgjimet Sky ECC të djalit të tij, Rexhep Rraja, nxjerrin në dritë një lidhje të drejtpërdrejtë me trafikun e drogës, pikërisht gjatë kohës që ai përfaqësonte Partinë Socialiste. Ndaj, rezultati elektoral i Durrësit në 2021, tani lexohet ndryshe.
Emri i Rexhep Rrajës në trafikun e marijuanës
Episodi që përfshin Rexhep Rrajën, i dokumentuar në dosjen e SPAK, është ai i datës 26 janar 2021 në pikën kufitare Kapikule të Turqisë, ku autoritetet sekuestruan 236 kilogramë kanabis të fshehur në tavanin e një kamioni me targa shqiptare. Në bisedat e përgjuara, të zbardhura në dosje, shihet qartë hierarkia dhe nervi i operacionit. Rexhep Rraja shfaqet si njeriu që shqetësohet për detajet që mund ta fundosin grupin. Në një mesazh drejtuar Jani Çavos, ai shkruan i irrituar, “O vlla na fiket mor burr, ca jan kto muhabete”, dhe menjëherë kërkon siguri për gjurmët, “A jan pastru ca jan perdor dmth”.
Dyshimet e SPAK janë se Rexhep Rraja ishte në rolin e drejtuesit të grupit që trafikonte marijuanën. Dosja shkon edhe më tej në raste të tjera të trafikut. Në një episod të mëparshëm, më 23 nëntor 2020, autoritetet holandeze sekuestruan 475 kilogramë kokainë në portin e Vlissingen, të fshehura në një ngarkesë bananesh nga Ekuadori. Në komunikimet Sky ECC që lidhen me këtë rast, njëri prej të përfshirëve i referohet hapur takimeve me “djalin e deputetit”, duke iu referuar Rexhep Rrajës.
Historia e Xhisielës, shteti ktheu kokën mënjanë për Rrajat
Rexhep Rraja ishte një personazh i famshëm mediatik, para episodeve të trafikut të drogës që ka zbardhur SPAK. Emri i tij kishte dalë në një histori tjetër, edhe më tronditëse, që ishte denoncimi i Xhisiela Malokut në vitin 2018. Kjo është historia e pushtetit që mbyllte njërin sy për dhunën barbare mbi një vajzë jetime. Për dhunën fizike dhe psikologjike ndaj saj, Xhisiela Maloku e drejtoi gishtin tek ish-i dashuri i saj Rexhep Rraja dhe fisi i tij. Por përballë denoncimeve të vajzës, policia ishte e paralizuar.
Xhisiela Maloku tregoi se si u kërcënua me vrasje nga Rexhep Rraja kur shkoi të bënte kallëzim në polici. Ajo përshkroi rrahje dhe dhunë fizike dhe psikologjike, përfshirë përdorimin e armëve dhe djegien me cigare. Ajo gjithashtu deklaroi se ishte kërcënuar nga persona të tjerë brenda ambjenteve të policisë për të tërhequr denoncimin.
Edhe pas këtyre denoncimeve, shteti duket se nuk reagoi siç duhet. Kryeministri Edi Rama e quajti reagimin e policisë “të bërë detyrën pa i bërë asnjë favor djalit të deputetit”, duke dalë kundër Xhisielës. Debati u mbyll shpejt tek një histori dhune mes dy të rinjve, pa u hapur hetim për policët e përfshirë në presionet e pretenduara.
Historia e Emiljano Nuhut, policit që u sulmua nga Edi Rama
Situata u komplikua kur ish-oficeri i policisë gjyqësore Emiljano Nuhu doli publikisht dhe foli për atë që kishte ndodhur në komisariatin e Krujës. Ai konfirmoi deklaratat e Xhisiela Malokut dhe deklaroi se ishte kërcënuar me armë në komisariatin e Fushë Krujës për të mos arrestuar Rexhep Rrajën. Sipas Nuhut, babai i Rexhepit, Rrahman Rraja, kryetari i bashkisë Artur Bushi dhe deputeti Taulant Balla, kanë qenë të pranishëm në zyrën e tij dhe e kanë kërcënuar.
Nuhu rrëfeu se Rrahman Rraja i kishte thënë se “nuk ke shanse të arrestosh djalin tim”, ndërsa Xhelal Rrahja i kishte thënë “nuk ke shanse të arrestosh Rexhepin sot, nuk del i gjallë nga zyra”. Ai gjithashtu deklaroi se Xhelal Rrahja nxori një pistoletë dhe ia vuri në kokë, duke i thënë të mos fliste me askënd.
Reagimi i kryeministrit Edi Rama ndaj dëshmisë së Nuhut ishte kundër policit. Rama e quajti Emiljano Nuhun “një horr të kthyer në hero” nga opozita dhe shtoi se “Nuk do t’i ndahemi këmba këmbës atij horri”.
Në vitet në vazhdim, Rama ruajti një marrëdhënie shumë të mirë me Rrajat, dhe siç dihet Rrahmani i shpërbleu duke marrë mbi 7 mijë vota për Partinë Socialiste.
Kur të gjitha faktet lidhen në një vijë logjike, që nga mbrojtja politike që u siguroi Rama Rrajave në vitin 2018, në kundërsulmin e kryeministrit ndaj policit Emiljano Nuhu dhe në rezultatin elektoral të Rrahman Rrajës në 2021, kohë në të cilën Rexhep Rraja kalonte kamionët me kanabis, atëherë bëhet legjitime pyetja: A ishin reagimet e Edi Ramës një llogari e ftohtë elektorale, pasi Rrajat kishin në duar paratë e drogës? A u përdorën paratë e trafikut të kanabisit dhe kokainës për të blerë votat e Rrahman Rrajës për Partinë Socialiste?
Në bisedat e zbardhura nga SPAK nuk ka ende një bisedë që të tregojë se paratë e kanabisit dhe të kokainës u derdhën drejtpërdrejt në fushatën e Partisë Socialiste në Durrës. Por tashmë është konfirmuar disa herë aleanca me bandat që sjellin vota, si çelësi që shpjegon pse pushteti i mbyll sytë përballë mëkateve të krimit, ndonjëherë sulmon edhe viktimën apo baltos policinë për të mbrojtur një trafikant droge që sot del në dosje të rënda kriminale.
“`
