Arrestohen shtetas kinezë për trafik prostitucioni në Vlorë

Goditet një rrjet prostitucioni në Vlorë, arrestohen dy shtetas kinezë

Në Vlorë është zbuluar një rast i trafikimit dhe shfrytëzimit të femrave për prostitucion. Policia ka arrestuar dy shtetas kinezë dhe ka shpallur në kërkim një shtetase tjetër, e dyshuar si bashkëpunëtore në këtë aktivitet kriminal.

Operacioni, i koduar “Victim”, u finalizua pas hetimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. Hetimet kanë çuar në identifikimin e tre personave të përfshirë në shfrytëzimin për prostitucion.

Janë arrestuar shtetasja X. L., 40 vjeçe, dhe shtetasi B. W., 31 vjeç, të dy me banim në Kinë. Ndërkohë, shtetasja K. X., 50 vjeçe, është shpallur në kërkim.

Të tre dyshohet se shfrytëzonin për prostitucion një shtetase kineze 52-vjeçare, në një apartament të marrë posaçërisht për këtë qëllim në Vlorë.

Gjatë kontrollit të apartamentit, policia ka gjetur edhe një shtetas shqiptar, i cili ndodhej në ambient në momentin e ndërhyrjes. Si shtetasi shqiptar, ashtu edhe shtetasja kineze e shfrytëzuar, janë proceduar penalisht për veprën penale “Prostitucioni”.

Scroll to Top