Kosova ’25: Politika e bllokuar mes zgjedhjesh dhe mungese besueshmërie

Të dielën zgjedhje, seriali politik “Kosova ‘25” gati për sezonin e ri

Politika e Kosovës për vitin 2025 mund të përmblidhet me disa fjalë: zgjedhje, konstituim, dështim, sërish zgjedhje. Këtyre mund t’u shtohen edhe disa të tjera: opozita bllokon, pushteti bllokon. E sigurt është që nuk ishte vit i kompromisve, marrëveshjeve politike, apo projekteve të mëdha ndërkombëtare, por i ndëshkimeve. Dialogu Strategjik me SHBA-në, për shembull, u pezullua.

Në krye të listës së personazheve të këtij seriali politik ishin vetë deputetët. Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ata u mblodhën disa herë. Ishte hera e parë që në institucionin ligjvënës të Kosovës ndodhte diçka e tillë. Kur më në fund u zgjodh, nuk ishte një fitore e madhe. Pas më pak se tre muajsh, presidentja shpalli zgjedhje të parakohshme, pasi përpjekjet për formimin e Qeverisë së re shkuan huq. Si datë u diskutuan 21 dhe 28 dhjetori, por u vendos e dyta, për fat të keq të kujtdo që priste qetësi gjatë festave.

Këta dhjetë muaj mes dy palë zgjedhjeve nuk ishin aspak pa dramë. Gjykata Kushtetuese u përfshi vazhdimisht, ku herë njëra e herë tjetra palë shkonte për t’u ankuar për tjetrën. Vendimet e saj rrallë i kënaqnin të gjithë: interpretoheshin sipas nevojës, kontestoheshin publikisht dhe shndërroheshin në municion politik.

Aleatët ndërkombëtarë përcillnin mesazhe, por pa bujën e zakonshme, duke bërë të qartë se krijimi i institucioneve është “puna juaj”. Në pjesën e dytë të këtij 10-mujori u mbajtën edhe dy runde të zgjedhjeve lokale. Procesi i tyre u përmbyll sipas rregullave, por nuk mungoi zhurma dhe tensioni politik.

Politika e jashtme gjithashtu nuk prodhoi ndonjë kthesë të madhe: katër njohje të reja po, por pjesa tjetër u konsumua kryesisht në takime, premtime e fotografi. Tani, me afrimin e vitit të ri, lind pyetja: a e ka Kosova luksin të vazhdojë të zvarritet pa ngut? Me rrëmujën gjeopolitike që ka përshkuar botën, vëzhguesit janë të sigurt: jo!

Prioritetet që do të duhej të vendosnin tonin e sezonit të ri, sipas tyre, janë disa. Por, njëri del mbi të gjithë të tjerët: riparimi i besueshmërisë me partnerët kyç: SHBA-në, BE-në dhe NATO-n. Sipas Lulzim Pecit, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave, kjo duhet të bëhet jo me deklarata për konsum të brendshëm, por me një zotim të qartë për koordinim të disiplinuar, sidomos në fushën e sigurisë, në veri dhe në dialog. Vetëm pasi të rregullohen raportet me aleatët, Peci thotë se Kosova mund të mendojë seriozisht për hapin tjetër: një agjendë të dakorduar me vendet e Quint-it dhe Bashkimin Evropian, që do ta nxirrte vendin nga statusi i përhershëm i pritjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për status kandidati në BE dhe për avancim gradual të partneritetit me NATO-n.

Prioriteti i tretë, sipas Pecit, është po aq jetik: energjia. Ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike, përfshirë gazin dhe teknologjitë e avancuara në sektorin e thëngjillit, është kusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për pavarësi reale energjetike.

Në linjë të ngjashme e vendos listën e prioriteteve edhe Ilir Deda, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, Qeveria e re do të duhet të hyjë menjëherë në një plan të përbashkët me shtetet e Quint-it për të zgjidhur disa nga nyjat më të mëdha të bllokimit ndërkombëtar të Kosovës: anëtarësimin në Këshillin e Evropës, formalizimin e marrëdhënies me NATO-n, shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim në BE dhe përmbushjen e obligimeve për themelimin e Asociacionit funksional të komunave me shumicë serbe.

Por, politika e jashtme dhe dialogu nuk mund të shkëputen nga realiteti i brendshëm. Deda thotë se pa një pako serioze socio-ekonomike, që do ta stimulonte realisht sektorin privat dhe do të sillte rritje të prekshme të të ardhurave për qytetarët, çdo agjendë tjetër rrezikon të jetë e zbrazët. E, prioriteti i tretë, sipas tij, lidhet me kthimin e mirëbesimit te popullata serbe në Kosovë, veçanërisht në veri. Deda thekson nevojën për masa konkrete dhe të menduara mirë në këtë drejtim, përfshirë komunikimin e hapur dhe adresimin e vërejtjeve të ngritura nga komuniteti serb.

Programet zgjedhore të partive politike i përfshijnë thuajse të gjitha këto, por me pak shpjegime se si do të arrihen dhe pothuajse asnjë garanci se këtë herë do të jetë ndryshe. Retorika është e njohur, fajtorë gjithmonë të tjerët.

Edhe nëse gjithçka shkon sipas afateve ligjore, javët e para pas zgjedhjeve nuk premtojnë asnjë frymëmarrje. Numërimi i votave, shpallja e rezultateve, ankesat, certifikimi – secili hap ka kalendarin e vet dhe pritet t’i mbajë institucionet të zëna deri në grykë. E, muajt e parë të vitit hapin edhe një kapitull tjetër të ndjeshëm: zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Një proces që, në kontekstin aktual politik, vështirë se mund të kalojë pa kalkulime.

Me afrimin e vitit të ri, shpresat dhe pritjet për të ardhmen gjithmonë rriten. Në më pak se dy muaj, Kosova mbush 18 vjet dhe hyn në moshën madhore të shtetësisë. Kjo, mbase, mund të shërbejë si një moment për reflektim, për pjekuri politike dhe për vendime të guximshme që e forcojnë vendin si brenda, ashtu dhe jashtë kufijve.

Scroll to Top