Meksika arreston udhëheqësin e kartelit të drogës në Sinaloa, i kërkuar nga SHBA
Një person i dyshuar si udhëheqës i kartelit famëkeq Sinaloa, i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, është arrestuar në Meksikë me akuza për drogë dhe terrorizëm.
Pedro Inzunza Noriega u akuzua nga Shtetet e Bashkuara në maj për trafikim të sasive të mëdha fentanili, kokaine dhe heroinë drejt vendit, në cilësinë e zëvendëskomandantit të Organizatës Beltran Leyva, një fraksion i kartelit që tani besohet se është shuar. Ai u mor në paraburgim në shtetin veriperëndimor Sinaloa të Meksikës, thanë burimet.
Sipas mediave të huaja, aktakuza në SHBA shënoi herën e parë që një udhëheqës i dyshuar i kartelit u akuzua për “narkoterrorizëm dhe mbështetje materiale të terrorizmit”, sipas Departamentit të Drejtësisë.
“Karteli Sinaloa është një organizatë terroriste komplekse dhe e rrezikshme dhe çmontimi i tij kërkon një përgjigje ligjore të re dhe të fuqishme”, tha në atë kohë Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi.
Që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, Presidenti i SHBA-së Donald Trump është zotuar të marrë masa të ashpra kundër trafikut të drogës.
