Daily Mail: Britania do të ekstradojë shqiptarin që dyshohet se pagoi për vrasjen e Albi Bashaliut
Gazeta britanike “Daily Mail” raporton se Lorenc Lala, 48 vjeç, i cili pretendonte se ishte bletar, do të ekstradohet nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë. Ai akuzohet se ka paguar 42,000 £ për vrasjen e Albi Bashaliut, ngjarje e ndodhur në vitin 2021.
Lala, i arrestuar në qershorin e kaluar, jetoi në Britani për dy vite i pazbuluar. Autoritetet shqiptare e gjurmuan atë dhe lëshuan një urdhër për ekstradimin e tij.
Ai dyshohet se ka organizuar pagesën për vrasjen e Albi Bashaliut si hakmarrje për vrasjen e një tjetër personi në fshatin Gjocaj të Peqinit. Bashaliu u qëllua për vdekje në vitin 2021 ndërsa ndodhej në një makinë duke shitur pula.
Lala u largua nga Shqipëria drejt Britanisë, duke besuar se kjo do t’i ofronte një vendndodhje më të sigurt jashtë mundësive të urdhrit europian të arrestit. Ai mbërriti në vend me një fluturim të British Airways në gusht 2023, së bashku me gruan e tij, e cila aplikoi për një vizë pune si e kualifikuar në sektorin e kujdesit.
Lorenc Lala u paraqit sot në Gjykatën e Magjistraturës së Westminster, ku dha pëlqimin për ekstradimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri. Ai u paralajmërua se marrëveshja e ekstradimit ishte e pakthyeshme, por miratoi këtë procedurë, duke shmangur një seancë të plotë dyditore.
Gjatë seancës, Lala, i veshur me tuta gri, komunikoi përmes një përkthyesi shqiptar. Gjykatësi Sam Goozee e informoi se tani çështja do t’i dërgohet Sekretarit të Shtetit [Sekretarit të Brendshëm] për urdhërimin e ekstradimit, pa të drejtë ankese. Ai do të mbahet në paraburgim deri në marrjen e vendimit përfundimtar.
Gruaja e Lalës, e cila mori pjesë në një seancë dëgjimore më parë, nuk ishte e pranishme në gjykatë sot.
Harry Perkin, i cili përfaqëson qeverinë shqiptare, deklaroi më parë se i pandehuri përballet me 25 vjet burg nëse ekstradohet dhe dënohet. Ai u kërkua për herë të parë nga Shqipëria në dhjetor 2021, i akuzuar për komplot për vrasje me bashkëpunëtorë të tjerë. Roli i tij ishte të siguronte mjetet e transportit dhe armët për grupin kriminal, pjesë e një krimi të organizuar në kuadër të një gjakmarrjeje.
Matei Clej, avokat mbrojtës, u shpreh se në këtë fazë ka detaje të pamjaftueshme për të kuptuar akuzat. Ai theksoi se rasti është shumë i lidhur me median, ku Lala portretizohet si vrasës me pagesë. Avokati argumentoi se lidhja e të pandehurit me vrasjen për të cilën akuzohet është e dobët dhe se ai ka një dosje të pastër, duke qenë i padënuar në Shqipëri, Greqi, Itali dhe Britani.
Mënyra e mbërritjes së çiftit në Britani ishte përmes aplikimit të gruas për vizë pune si punëtore e kualifikuar në sektorin e kujdesit, ndërsa Lala erdhi si person i varur prej saj. Ata kanë tre fëmijë, përfshirë një të vogël. Lala ka punuar si shofer shpërndarjeje, bletar dhe menaxher hotelesh në Shqipëri.
