I burgosuri poston në Instagram, alarmohet Drejtoria e Burgjeve
Drejtoria e Burgjeve ka urdhëruar një kontroll urgjent në qelinë e të burgosurit Fatmir Pjetri, i cili vuan dënimin në burgun e Burrelit dhe njihet si pjesë e grupit kriminal të njohur si “Banda e Babagjyshëve”.
Gazetarja Anila Hoxha nga Top Channel raporton se shkak për këtë veprim ka qenë publikimi në profilin e tij në Instagram të një audioregjistrimi. Në këtë regjistrim, Pjetri akuzon Drejtorinë e Burgjeve se nuk i kanë lejuar të botojë një roman të shkruar prej tij, pasi ky i fundit përmban akte dhune.
Megjithatë, kontrolli do të fokusohet në zbulimin e mënyrës se si është realizuar ky regjistrim dhe si është bërë publik në platformën Instagram.
Në vitin 2025, Pjetri ka bërë një tentativë arratisjeje nga burgu 313. Ai, së bashku me Arbër Çekajn, kishin planifikuar të largoheshin duke përdorur një çarçaf nga seksioni i izolimit.
40-vjeçari, me origjinë nga Puka, rezulton të jetë dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 2013, ai u bë pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”. Ai ka marrë pjesë në të gjitha grabitjet e kryera nga ky grup kriminal, të cilat shtriheshin në të gjithë vendin, duke përfshirë Tiranën, Kuçovën, Durrësin, Berat, Lezhën, Fushë-Krujën, Laçin dhe Shkodrën.
Një nga grabitjet më të bujshme të kryera nga banda ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku u vodh një argjendari.
