Dogana Shqiptare afrojnë Sistemet Doganore me BE

Hidhen hapa të mëtejshëm në përafrimin e sistemeve të informacionit doganor të Shqipërisë

Në Bruksel u zhvillua një takim i nivelit të lartë midis Administratës Doganore Shqiptare, DG TAXUD dhe UNCTAD. Takimi u fokusua në modernizimin dhe përafrimin e sistemeve të informacionit doganor të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian për periudhën 2025–2030.

Gjatë takimit u prezantua vizioni strategjik i modernizimit, si edhe teknologjitë më të reja ASYCUDA, duke përfshirë ASYCUDA Cloud Framework dhe zgjidhjet për rritjen e ndërveprimit, sigurisë dhe eficiencës së proceseve doganore. Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe integrimit europian të sistemit doganor shqiptar.

Në nëntor, Këshilli i Ministrave miratoi “Strategjinë për Modernizimin dhe Harmonizimin e Sistemeve të Informacionit Doganor Shqiptar me Sistemet e Bashkimit Evropian, për periudhën 2025–2030”, së bashku me planin e veprimit përkatës. Ky dokument strategjik shënon një hap të rëndësishëm drejt përputhjes së plotë të sistemeve doganore me standardet dhe arkitekturën e teknologjisë së informacionit të BE-së.

Strategjia është hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe UNCTAD, si dhe me asistencën teknike të DG TAXUD. Dokumenti përcakton zhvillimet prioritare në tre grupe sistemesh të nevojshme për vendet kandidate në procesin e aderimit:

  • Sistemet qendrore transevropiane, të zhvilluara nga Komisioni Europian, që përfshijnë 18 sisteme kyçe për menaxhimin e procedurave doganore, shkëmbimin e certifikatave, menaxhimin e riskut, EORI2, AEO, garancitë, sistemin IPR, tarifën e integruar etj.
  • Sistemet e decentralizuara transevropiane, si NCTS (tranziti), Sistemi i Autorizimit të Eksportit dhe zhdoganimi i centralizuar për import, të cilat kërkojnë zhvillimin e komponentëve kombëtarë.
  • Sistemet kombëtare të domosdoshme, që duhet të zhvillohen në përputhje me Kodin Doganor të Unionit dhe Dritaren e Vetme të BE-së, si njoftimi i mbërritjes, prezantimi, magazinimi i përkohshëm dhe sistemi kombëtar i importit.
Scroll to Top