Kurti: Serbia e ka kuptuar se Kosova është shtet

Albin Kurti: Serbia e ka kuptuar se jemi shtet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se Serbia e ka kuptuar më mirë se kurrë më parë se Kosova është shtet, edhe pse vazhdon ta refuzojë njohjen.

Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Kurti akuzoi edhe partitë opozitare për shkak të mungesës së bashkëpunimit të tyre, duke theksuar se kjo solli vendin dy herë në zgjedhje vitin e kaluar. Ai shtoi se populli i Kosovës refuzon të kthehet “në epokën e korrupsionit”.

Kurti tha se kontribuuesi kryesor i destabilitetit në rajon, përmes Serbisë, është Federata Ruse.

“Nga katër fqinjët që kemi si Republika e Kosovës, tre na njohin. Vetëm Serbia nuk na njeh dhe nuk duket se do ta bëjë së shpejti. Megjithëse mendoj se e kuptojnë më mirë se kurrë që jemi shtet tjetër. Realiteti ka ndryshuar shumë. Por ajo që duhet të ndodhë është që të shuhet ëndrra e tyre për kthim. Po ashtu, kontribuuesi i saj është Perandoria Ruse, apo ajo që është tash Federata Ruse. Perandoria Ruse nuk dëshiron fqinj, por është e pamundur që të mos kesh fqinj”, tha ai.

Krahas kësaj, ai akuzoi opozitën për zgjedhjet e reja, duke nënvizuar se mungesa e bashkëpunimit nga ana e tyre solli zgjedhje të reja dhe një rezultat të mirë për të, ku mori mbi 51 për qind të votave.

“Së pari, nuk shkuam në zgjedhje të reja pse donim. Ky nuk ishte qëllimi ynë, por ishte pasojë e mungesës së bashkëpunimit me opozitën. Ne fituam në shkurt 42.3 për qind, por nuk ishte e mjaftueshme. Provuam gjithçka. Provuam të takoheshim me një apo dy parti politike opozitare. Njëra nga to nuk donte të takoheshim, njëra nga to e dëshironte pozitën e kryeparlamentarit me vetëm tre deputetë. Pastaj, nuk e pranuan emrin tonë të propozuar për kryeparlamentar, megjithëse e zëvendësuam atë emër dhjetëra herë; opozita sërish iu tha ‘jo’ të gjithëve. Pastaj, unë e zëvendësova emrin tim me zëvendësin tim në parti, Glauk Konjufca, i cili ishte kryeparlamentar dhe do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i radhës. Prapë thanë jo. Kështu që, përgjatë vitit 2025, ishte e qartë për njerëzit se nuk kishim një qeveri jo pse nuk fituam zgjedhjet, por sepse askush nuk donte të bashkëpunonte me ne. Kështu që, mendoj se nëse do të doja zgjedhje të reja, njerëzit do të më ndëshkonin mua. Unë nuk doja zgjedhje të reja, por nëse zgjedhjet e reja ishin aty, më mirë të isha gati. Kështu që kishte pasoja nga mosbashkëpunimi i opozitës, jo nga një entuziazëm i imi për zgjedhje të reja”, shtoi Kurti.

Scroll to Top